Kremlini hedh poshtë pretendimet se Epstein ishte aset i inteligjencës ruse





Kremlini ka deklaruar të enjten se nuk do të humbasë kohë duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me pretendimet të cilat i ka cilësuar të pavërtetuara nga mediat perëndimore dhe nga kryeministri i Polonisë lidhur me Jeffrey Epstein.

Sipas deklaratave të tyre ata kanë hedhur pretendimet se Epstein mund të ketë qenë një lloj aseti i inteligjencës ruse. Kryeministri polak Donald Tusk tha të martën se Varshava do të nisë një hetim mbi ato që i quajti lidhje të mundshme midis Epstein dhe shërbimeve të inteligjencës ruse, si dhe mbi çdo ndikim të mundshëm në Poloni.

Tusk nuk dha prova për pohimet e tij, megjithëse mediat perëndimore kanë vënë në pikëpyetje gjatë ditëve të fundit nëse Epstein ishte apo jo një agjent rus që mblidhte materiale kompromentuese rreth të pasurve dhe të fuqishmëve.

I pyetur nga Reuters në lidhje me vërejtjet e Tuskut dhe raportet e mediave perëndimore, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se nuk do të humbasë kohë.

Zyrtarët rusë thonë se pretendimet për një lidhje midis Epstein dhe inteligjencës ruse po futen qartë në sferën publike për të shkëputur vëmendjen nga një skandal që ata thonë se ka zbuluar hipokrizinë e burrave të fuqishëm në të gjithë SHBA-në dhe Evropën.

Në dosjet mbi Epstein të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, Rusia përmendet mijëra herë.