
Një raund i ri bisedimesh trepalëshe po zhvillohet në Abu Dhabi, në përpjekje për të arritur një marrëveshje që do të çonte drejt një fundi të luftës në Ukrainë.
Sipas mediave ndërkombëtare, Rusia ka paraqitur një kusht të ri për t’i dhënë fund konfliktit: njohjen ndërkombëtare të rajonit të Donbasit si pjesë të Rusisë. Ky kusht përfshin kërkesën që “të gjitha vendet” pjesëmarrëse në negociata të pranojnë statusin e ri të Donbasit.
Raundi i bisedimeve, që përfshin Shtetet e Bashkuara, Ukrainën dhe Rusinë, filloi të mërkurën, më 4 shkurt, dhe zgjati rreth pesë orë. Takimet vazhdojnë edhe sot, ndërsa palët përpiqen të gjejnë një zgjidhje diplomatike për konfliktin e gjatë.
Analistët paralajmërojnë se kushti i ri i Moskës mund të bëhet një pengesë e madhe në arritjen e një marrëveshjeje të shpejtë, duke e komplikuar edhe më tej procesin negociator.