Stuhia Epstein mund ta rrëzojë një lider botëror, por jo Trumpin

Ndërsa dosjet e Jeffrey Epsteinit vazhdojnë të tronditin politikën ndërkombëtare pothuajse shtatë vjet pas vdekjes së tij, pasojat politike të skandalit nuk janë të njëjta në të dy anët e Atlantikut. Në Britaninë e Madhe, kryeministri Keir Starmer po përballet me një krizë serioze që mund t’i kushtojë postin, edhe pse ai vetë nuk ka qenë kurrë i lidhur drejtpërdrejt me abuzuesin seksual. Në Shtetet e Bashkuara, presidenti Donald Trump duket politikisht i paprekshëm, pavarësisht se emri i tij përmendet mijëra herë në dokumentet e publikuara së fundmi për Epsteinin, shkruan CNN.

Ndërsa kriza politike në Londër thellohet, viktimat e Epsteinit në Washington vazhdojnë të përballen me mungesë vullneti institucional në kërkimin e drejtësisë. Ky kontrast pasqyron jo vetëm forcën politike të Trumpit, por edhe dobësinë politike të Starmerit, si dhe përmasat e mëdha të një skandali që vazhdon të zgjerohet, duke u shtrirë deri në Norvegji dhe Poloni.

Trumpi i sigurt

Zemërimi publik në Mbretërinë e Bashkuar për lidhjet e Epsteinit ka qenë aq i fortë, saqë Mbreti Charles III i hoqi titujt mbretërorë vëllait të tij, Princit Andrew, një mik i njohur i Epsteinit, dhe e detyroi të largohej nga rezidenca Windsor. Një veprim i tillë nuk ka ndodhur në SHBA për asnjë figurë publike të lidhur me Epsteinin, i cili u vetëvra në burg në vitin 2019 para se të përballej me gjyqin për trafikim njerëzor dhe abuzim seksual të të miturave.

Një nga figurat më të njohura amerikane që ka pësuar është ish-sekretari i Thesarit, Larry Summers, i cili u tërhoq nga jeta publike pasi u zbuluan emaile me Epsteinin, ku përfshiheshin komente seksiste dhe kërkesa për këshilla sentimentale.

Ndërkohë, Trumpi po përpiqet ta mbyllë këtë kapitull pasi Departamenti i Drejtësisë ka bërë të ditur se nuk do të ketë ndjekje të tjera penale. Autoritetet amerikane nuk kanë ngritur akuza ndaj Trumpit apo ndaj personave të tjerë të përmendur në dokumentet e reja. Edhe pse disa referenca për Trumpin janë të padëmshme, të tjera përfshijnë akuza të pabazuara për sulme seksuale dhe dëshmi të reja nga viktimat e Epsteinit për kontaktet e tyre me presidentin e tashëm.

“Është koha që vendi të përqendrohet në diçka tjetër”, ka thënë Trump për CNN këtë javë – një skenar që, duke pasur parasysh kontrollin e tij të fortë mbi institucionet amerikane, nuk duket i pamundur.

Starmer në krizë politike

Kryeministri britanik do të dëshironte një situatë të ngjashme në Britani. Qeveria e tij ishte në prag kolapsi pasi deputetë të Partisë Laburiste u rebeluan kundër tij, duke thelluar një krizë që tashmë ka përfshirë qeverinë britanike. Starmeri u detyrua të pranonte publikisht se ishte në dijeni të miqësisë mes ish-ministrit Peter Mandelson dhe Epsteinit, megjithatë e kishte emëruar atë ambasador në Uashington.

Skandali u rindez këtë javë pasi dokumente të reja treguan se Mandelsoni mund t’i ketë kaluar Epsteinit informacione të ndjeshme dhe të klasifikuara gjatë krizës financiare të vitit 2008. Mandelson tashmë po përballet me hetim penal dhe ka dhënë dorëheqje nga Dhoma e Lordëve dhe Partia Laburiste.

“Mandelson e ka tradhtuar vendin, parlamentin dhe partinë time”, deklaroi Starmer. Vetë Mandelson ka kërkuar falje publike për marrëdhënien me Epsteinin, duke pranuar se kishte gabuar rëndë duke vazhduar miqësinë edhe pas dënimit të tij për krime seksuale.

Pse pasojat janë më të rënda në Britani sesa në SHBA

Sipas CNN, arsyeja nuk qëndron vetëm te Epsteini, por te tri drama të mëdha që tashmë dominojnë jetën politike britanike: pasiguria e së ardhmes politike të Starmerit, rënia e përsëritur e Mandelsonit – i njohur si “Princi i Errësirës” – dhe saga e pafundme e familjes mbretërore britanike, veçanërisht lidhja e Princit Andrew me Epsteinin.

Në SHBA, Trumpi mbetet i mbrojtur nga “Kongresi republikan” që ai e kontrollon. Ndryshe nga Starmeri, Trumpi nuk përballet me “kryengritje parlamentare” që mund ta rrëzojë nga pushteti. Edhe pse republikanët kanë ushtruar presion për publikimin e dokumenteve të Epsteinit, udhëheqja nuk ka treguar asnjë interes për ta thirrur Trumpin për dëshmi.

Në fund, ndërsa stuhia Epstein vazhdon të përhapet globalisht, ajo kërcënon seriozisht karrierën e kryeministrit britanik, por duket se nuk ka fuqinë ta rrëzojë Trumpin nga froni politik amerikan.