Tragjedi në një familje shqiptare në Itali, vdesin të katër anëtarët nga rrjedhja e gazit

Një tragjedi ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në një familje shqiptare në Itali, ku të katër anëtarët kanë vdekur për shkak të një rrjedhjeje monoksidi karboni, e shkaktuar me shumë gjasa nga një defekt i kaldajës në banesën e tyre në zonën e Piana di Lucca , raporton “Corriere Della Sera”.

Në gjendje kritike, ndodhet një person i pestë. Sipas raportimeve, bëhet fjalë për vëllain e kryefamiljarit, i cili kishte shkuar në banesë pasi familjarët nuk i përgjigjeshin telefonatave.

Viktimat janë babai 48-vjeç, bashkëshortja e tij 43-vjeçe dhe dy fëmijët, 22 dhe 15 vjeç.

Edhe dy karabinierë, që mbërritën në vendngjarje për të dhënë ndihmën e parë, u intoksikuan lehtë, por nuk janë në rrezik për jetën.

Tragjedia ndodhi rreth orës së darkës, teksa në momentin e hyrjes në banesë, ekipet e shpëtimit gjetën tryezën të shtruar. Karabinierët i njoftoi vëllai i kryefamiljarit. Pasi mbërritën në banesën trekatëshe, ai dhe efektivët e Arma dei Carabinieri trokitën disa herë, por nuk morën asnjë përgjigje.

Në atë moment ata e thyen derën dhe, sapo hynë brenda, u përballën me një skenë dramatike, me katër trupa të pajetë të shtrirë në tokë.

Personi i pestë i familjes, gjithashtu për shkak të monoksidit të karbonit, humbi ndjenjat para syve të karabinierëve, të cilët arritën të dilnin nga shtëpia para se të pësonin të njëjtin fat dhe të jepnin alarmin. Ai u dërgua në spitalin e Cisanellos. Në vendngjarje mbërriti edhe kryetari i bashkisë së Porcarit, Leonardo Fornaciari, i cili shprehu tronditje dhe dhimbje të thellë për një tragjedi që prek të gjithë komunitetin e këtij qyteti të vogël, vetëm pak kilometra larg Luccës./Reporteri.net