Kamberi: Në Kongresin Amerikan dorëzohet ligji për vlerësimin e diskriminimit ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës
Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë nga Lugina e Preshevës, Shaip Kamberi, ka njoftuar se sot në Uashington ka marrë personalisht nga Kongresisti amerikan Keith Self dokumentin zyrtar të projektligjit H.R. 6411 – Presheva Valley Discrimination Assessment Act, i cili trajton çështjen e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Serbi.
Sipas Kamberit, ky projektligj synon që për herë të parë të vendosë në mënyrë institucionale në agjendën e Kongresit të SHBA-së vlerësimin e situatës së të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ai theksoi se akti parashikon mekanizma për të vlerësuar dhe dokumentuar pretendimet për diskriminim sistematik, përfshirë pasivizimin administrativ të adresave, përjashtimin nga institucionet publike, çështjet që lidhen me përdorimin e gjuhës, arsimin dhe margjinalizimin ekonomik.
Kamberi e cilësoi nismën si një hap të rëndësishëm politik dhe falënderoi kongresistin Keith Self për mbështetjen dhe angazhimin e tij ndaj kësaj çështjeje, duke e vlerësuar si zë që ka ngritur këtë temë në institucionet amerikane.
Projektligji H.R. 6411 pritet të kalojë procedurat e mëtejshme shqyrtuese në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.