Zelensky: Rusia hodhi 12 mijë bomba dhe dronë mbi Ukrainë vetëm gjatë janarit





Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur përmes një postimi në platformën X se gjatë muajit janar Rusia ka ndërmarrë një ofensivë masive, duke lëshuar drejt vendit të tij rreth 12 mijë mjete fluturuese luftarake.

Sipas shifrave të bëra publike, bëhet fjalë për mbi 6 mijë dronë sulmi, rreth 5 mijë e 500 bomba ajrore të telekomanduara dhe 158 raketa të llojeve të ndryshme, të cilat kanë pasur si synim kryesor goditjen e sektorit energjetik, hekurudhave dhe infrastrukturës kritike që mban gjallë jetën e përditshme të qytetarëve.

Zelensky theksoi se aktualisht në shumë rajone po punohet intensivisht për riparimin e dëmeve, ndërkohë që sulmet nuk janë ndalur as gjatë javës së fundit, ku janë përdorur rreth 980 dronë dhe 1 mijëe 100 bomba të tjera.

Sipas udhëheqësit ukrainas, Moska po përpiqet të shkatërrojë lidhjen logjistike mes qyteteve dhe komuniteteve, prandaj ai ripërsëriti thirrjen për ndihmë ndërkombëtare, duke nënvizuar se mbrojtja e qiellit mbetet jetike.

Ai deklaroi se Ukraina ka nevojë çdo ditë për raketa të sistemeve Patriot, Nasams dhe mbështetje nga avionët F-16 për të përballuar këtë valë të vazhdueshme goditjesh.