Një autobus është përmbysur në provincën turke të Antalias, raportojnë mediat lokale.
Në aksidentin e rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm, kanë humbur jetën tetë persona, ndërsa 26 të tjerë janë plagosur. Autobusi kishte udhëtuar gjatë natës nga qyteti veriperëndimor Tekirdag drejt Antalias.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë automjetin e dalë nga rruga, në një dalje të autostradës në veriperëndim të qendrës së Antalias.
Agjencia e lajmeve DHA njoftoi se disa pasagjerë janë hedhur jashtë autobusit gjatë aksidentit. Disa nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike.
Antalia, një destinacion i njohur turistik në Mesdhe, është përfshirë nga reshje të dendura shiu ditët e fundit, duke i bërë rrugët të lagështa dhe me mjegull.
Sipas informacioneve të para, shoferi i autobusit po lëvizte me shpejtësi të madhe. Deri më tani nuk ka prova se autobusi është goditur nga ndonjë automjet tjetër.