Teksa ushtria amerikane pret vetëm urdhrin, presidenti Donald Tramp ende beson tek negociatat me Iranin….
Teksa ushtria amerikane pret vetëm urdhrin, presidenti Donald Tramp ende beson tek negociatat me Iranin. Kreu i Shtëpisë së Bardhë bëri me dije se për të do të ishte fantastike nëse ShBA-së nuk do i duhej që të kryenin një sulm kundër qeverisë së Teheranit.
“Kemi shumë anije tepër të mëdha dhe shumë të fuqishme që lundrojnë drejt Iranit tani. Dhe do të ishte shumë mirë nëse nuk do të na duhej t’i përdornim. Iranianëve u thashë dy gjëra. Së pari, jo armë bërthamore. Dhe së dyti, ndaloni së vrari protestuesit, por ata po i vrasin me mijëra. Unë ndalova 837 varje dy javë më parë. Askush nuk ka bërë diçka të tillë.”, tha Trampi.
Zyrtarët amerikanë thonë se Trampi po shqyrton opsionet e tij, por nuk ka vendosur nëse do ta sulmojë Iranin. Sekretari i luftës i ShBA-së, Pete Hegseth, ka bërë me dije se ushtria është në gatishmëri të plotë për të zbatuar çdo urdhër. Trampi ka kërcënuar vazhdimisht të ndërhyjë nëse Irani vazhdon të vrasë protestuesit, por demonstratat në të gjithë vendin për shkak të privimeve ekonomike dhe shtypjes politike janë zbehur që atëherë. Presidenti ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të veprojnë nëse Teherani rifillon programin e tij bërthamor pas sulmeve ajrore të qershorit nga forcat izraelite dhe amerikane në sajtet kryesore bërthamore.