Mickoski: Projekti “Qytet i sigurt” shpëton jetë, është gabim të etnizohet nga politikanë të caktuar
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë seancës së sotme, deklaroi se projekti “Qytet i sigurt” ka për qëllim shpëtimin e jetëve njerëzore dhe se është e gabuar përpjekja e disa politikanëve për ta etnizuar këtë projekt raporton Tetovasot.
Mickoski theksoi se kjo Qeveri garanton përfaqësim të drejtë dhe se ligji i ri për përfaqësim të drejtë ka marrë rekomandim pozitiv nga Komisioni i Venecias, i cili, sipas tij, është obligues në procesin e integrimit evropian.
“Sa i përket përfaqësimit të drejtë, mund të them se absolutisht po respektohet. Unë jam garant personal për këtë dhe këtë e kam thënë edhe më herët. As si njeri, as si politikan dhe as si kryeministër nuk do të lejoj që dikush të majorizohet apo të minimalizohet. Cilësia e njerëzve, pavarësisht përkatësisë etnike, duhet të jetë kriteri kryesor dhe kjo është vlerë themelore kushtetuese dhe pjesë e konventave ndërkombëtare,” deklaroi Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Skender Rexhepi transmeton Tetovasot.
Ai i porositi politikanët që, sipas tij, po përpiqen të fitojnë pikë politike duke etnizuar çështje të caktuara, që t’i shohin proceset më gjerë dhe më objektivisht.
Në lidhje me Ligjin për përfaqësim të drejtë, Mickoski tha se ligji është i përgatitur dhe ka marrë vlerësim pozitiv nga Komisioni i Venecias, duke shtuar se së shpejti do të dorëzohet për miratim në Kuvend. Ai shprehu shpresën se ligji do të miratohet njëzëri dhe se deputetët nuk do të rrezikojnë procesin e integrimit evropian.
Duke folur për vendimet e Gjykatës Kushtetuese, Mickoski tha se nuk i komenton ato, por theksoi se shumica aktuale në këtë gjykatë është zgjedhur në kohën e qeverisë së mëparshme.
Sa i përket projektit “Qytet i sigurt”, kryeministri nënvizoi se është e gabuar që edhe ky projekt të etnizohet, pasi qëllimi i tij është parandalimi i aksidenteve dhe ulja e numrit të viktimave në trafik.
“Ka politikanë që mendojnë se edhe viktimat e aksidenteve rrugore duhet të shihen përmes prizmit etnik. Ky projekt nuk bën statistika etnike, por ka vetëm një qëllim – të shpëtojë sa më shumë jetë njerëzore. Pas zbatimit të ‘Qytetit të sigurt’, do të ketë dukshëm më pak viktima në aksidentet e trafikut,” tha Mickoski.