Kush janë gjashtë zyrtarët policorë për të cilët është ndërprerë hetimi për zj’arrin në Koçan?





Hetimi për zjarrin në kabarenë “Puls” në Koçan është ndërprerë për gjashtë zyrtarë policorë dhe shefa, të cilët ishin të dyshuar për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” me pasoja vdekjeprurëse.

Burime nga hetimi për TV21 bëjnë të ditur se bëhet fjalë për personat: D.A. nga Shtipi, L.T. nga Shtipi, A.A. nga Shtipi, J.T. nga Probishtipi, M.S. nga Koçani dhe V.I. nga Çeshinovë-Obleshevë.

Prokuroria ka vlerësuar se këta persona nuk mund të mbahen përgjegjës për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, pasi kompetencat e tyre ligjore nuk kanë përfshirë kontrollin e masave kundër zjarrit, por kanë qenë të kufizuara në verifikimin e sigurisë në komunikacion dhe në sigurimin e një numri të mjaftueshëm vendparkimesh për objektin.

Në urdhëresë thuhet se, “në përputhje me Ligjin për veprimtari hotelierike, ata kanë qenë të detyruar të kryejnë kontrolle ekskluzivisht në aspektin e mbrojtjes së rendit dhe qetësisë publike dhe sigurisë në komunikacion”.

Hetimi për zjarrin në “Puls” vazhdon ende të përfshijë rreth 20 zyrtarë të tjerë policorë, ndërkohë që për të njëjtën ngjarje tragjike tashmë është hapur një procedurë gjyqësore me 35 të pandehur dhe tre persona juridikë të akuzuar. Në zjarrin që ndodhi më 16 mars të vitit të kaluar humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u plagosën rëndë.