“Do të vrasësh veten, do prekësh fundin”, Ogren Balluku rrëfen: Neda më dhunonte përpara fëmijëve

Ndarja e bujshme e moderatores Neda Balluku nga bashkëshorti i saj, Ogren Balluku, vëllai i zv/kryeministres Belinda Balluku, vijon të jetë në qendër të vëmendjes publike, teksa dalin në dritë detaje të reja nga përplasja mes tyre, e cila ka përfunduar në dyert e drejtësisë.

Më 16 janar 2026, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë lëshoi urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje në favor të Neda Balluku, për shkak të dhunës së pretenduar nga bashkëshorti i saj. Vendimi erdhi pas kallëzimit të paraqitur nga moderatorja, e cila kërkoi mbrojtje ligjore për veten.

Vetëm pak ditë më pas, ishte vetë Ogren Balluku ai që iu drejtua gjykatës me një kërkesë për urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, duke pretenduar se ishte subjekt i dhunës së vazhdueshme verbale, psikologjike dhe herë pas here edhe fizike nga bashkëshortja.

Në dëshminë e dhënë para Gjykatës së Tiranës, Ogren Balluku deklaroi se është ofenduar rëndë me fjalë si “ordiner, kafshë, kriminel dhe hajdut”, ndërsa shtoi se është kërcënuar edhe me shprehje të rënda si “Do të bëj të vrasësh veten, do prekësh fundin, mos gjetsh varr”.

Ai pohoi gjithashtu se ndihet i përndjekur dhe i survejuar, duke pretenduar se Neda Balluku ka hapur kamerat e supermarketeve për të ndjekur lëvizjet e tij dhe të fëmijëve, si edhe ka paraqitur prova në gjykatë që, sipas tij, dëshmojnë përgjimin e banesës së tij.

Në dëshminë e depozituar, Ogren Balluku shprehet:

“Kam pasur shqetësime të vazhdueshme nga bashkëshortja ime Neda Balluku dhe do të kërkoj të pajisem me urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje për vete dhe djalin tim. Jam i dhunuar verbalisht me fjalët më të ulëta që mund t’i thuhen një njeriu si ordiner, hajdut, kriminel, kafshë. Më kërcënon verbalisht me fjalët do të bëj të vrasësh veten, do prekësh fundin, mos gjetsh varr. Unë dhe dy djemtë e mi jemi të përgjuar në shtëpinë tonë. Ditën e premte, më datë 16.01.2026, të dy djemtë janë përballur me dhunë psikologjike në ambientet e shkollës Viktor Hygo”.

Megjithatë, pas shqyrtimit të kërkesës, Gjykata e Tiranës vendosi rrëzimin e saj, duke mos pranuar lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes ndaj Neda Ballukut.

Nga ana tjetër, Neda Balluku ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se ish bashkëshorti e pengon në mënyrë të paligjshme të takojë fëmijët, e nxjerr nga banesa dhe e ofendon në sy të tyre, duke i manipuluar kundër saj.

Në dëshminë e saj para gjykatës, ajo ka deklaruar:

“Kam për të deklaruar se për datën 20.01.2026 unë me shtetasin Ogren jam takuar vetëm në sallën e gjyqit. Nuk e kam kërcënuar apo dhunuar fizikisht apo psikologjikisht këtë shtetas. Kam shkuar në shkollë për të takuar fëmijët sipas vendimit të gjykatës, por nuk jam lejuar. Ai ofendon, shan dhe denigron mua në sy të fëmijëve. Kam bërë disa kallëzime dhe kam marrë urdhër mbrojtjeje sepse nuk më lejonte të takoja vajzën sipas vendimit të gjykatës”.

Sipas saj, kërkesa e Ogren Ballukut për urdhër mbrojtjeje është bërë si kundërpeshë ndaj vendimit të mëparshëm të marrë në favor të saj dhe si tentativë për të penguar zbatimin e vendimeve gjyqësore që lidhen me takimin me fëmijët.