Zelensky: Marrëveshja me SHBA-në për garancitë e sigurisë është 100% gati për t’u nënshkruar





Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se një dokument i garancive të sigurisë nga SHBA-ja për Ukrainën është “100% gati” pas dy ditësh bisedimesh që përfshinë përfaqësues nga Ukraina, SHBA dhe Rusia, raporton agjencia “AP”.

Duke folur me gazetarët në Vilnius gjatë një vizite në Lituani, Zelensky tha se Ukraina po pret që partnerët e saj të caktojnë një datë nënshkrimi, pas së cilës dokumenti do t’i dërgohet Kongresit të SHBA-së dhe Parlamentit ukrainas për ratifikim.

Zelensky theksoi gjithashtu shtytjen e Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2027, duke e quajtur atë një “garanci të sigurisë ekonomike”.

Udhëheqësi ukrainas i përshkroi bisedimet në Abu Dhabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, si formatin e parë trilateral në “një kohë mjaft të gjatë” që përfshinte jo vetëm diplomatë, por edhe përfaqësues ushtarakë nga të tria palët.

Bisedimet, që nisën të premten dhe vazhduan të shtunën, ishin më të fundit që synonin t’i jepnin fund luftës në Ukrainë, e cila nisi në shkurt të vitit 2022 kur Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës.