“Protesta dje kishte një risi themelore”, Berisha akuza policisë: Përdorën gaz lotsjellës të skaduar, është helm
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat, hodhi akuza ndaj Policisë së Shtetit, duke thënë se gjatë protestës së djeshme është ushtruar dhunë ndaj qytetarëve dhe është përdorur gaz lotsjellës i skaduar.
Sipas Berishës, kjo protestë kishte një risi të veçantë, pjesëmarrjen masive të të rinjve, të cilët ai i cilësoi si faktor kyç për rrëzimin e qeverisë.
“E vërteta, protesta pati një risi jashtëzakonisht të rëndësishme dhe themelore. Ajo u dominua nga rinia, nga të rinjtë, adoleshentët. U dominua pra nga guximi, energjia dhe vendosmëria e të rinjve. Një ogur i bardhë shumë ky për shqiptarët. Një shpresë e vërtetë, se do jenë të rinjtë dhe gjenerata e tyre, ata të cilët do të përmbysin, do të largojnë nga pushteti këtë organizatë kriminale.
Dje, narkopolicia me urdhër të Edi Ramës, e komanduar nga Proda i krimit, Proda i Gys Agasit edhe Suel Çelës, përdori dhunë të egër ndaj protestuesve. Goditi me të gjitha mjetet, përdori gaz lotsjellës të skaduar, i cili në konventa ndërkombëtare përbën helm luftarak dhe s’mund të përdoret kurrë ndaj protestave.
Gazi lotsjellës ishte i skaduar prej tre vitesh. Dhe ai pas skadimit është e njohur se transformohet në helme të tjera të cilat japin dëmtime të rënda sistemeve, por mund të shkaktojnë dhe humbjen e pamjeve. U përdorën topat e ujit dhe mjete të tjera. U goditën me shkopi protestues paqësorë dhe u arrestuan, u ndaluan brutalisht në akte të që cilësohen në krime kundër njerëzimit.
Fëmijë 10 vjeç tek dilte nga xhamia, 10 vjeçar, Romeo dhe s’kishte asnjë lidhje me protestën. Ai kishte ardhur me detyra të ngarkuara nga familjarët e tij. Dhe e morën në mënyrën më të turpshme, më kriminale.
Do të ushtojnë kohë të gjatë lutjet e tij ndaj atyre banditëve pesë burra që e tërhiqnin zvarrë një fëmijë 10 vjeçar. E çuan në komisariat. Shkelën konventat ndërkombëtare.
Fytyra e vërtetë e Edi Ramës, i cili edhe kur të jetë puna për karrigen e tij, nuk ndalet as për krime para fëmijëve. Akte kriminale ndaj fëmijëve. Po kështu, agresuan qytetarë që s’kishin lidhje me protestën. Agresuan, arrestuan qytetarë që nuk ishin fare në protestë. U sollën egërsisht dhe në mënyrë të padenjë ndaj deputetëve.
Agresuan disa deputetë, Luçiano Boçin, nënkryetarin e partisë, Xhelal Mziun, Besart Xhaferrin.
Agresuan si të droguar. Akte këto vetëm të njerëzve në panik të tmerrshëm,” u shpreh Berisha