Më shumë se 3,000 persona kanë humbur jetën në protestat mbarëkombëtare në Iran, thanë aktivistë të të drejtave të njeriut, ndërsa nga Republika Islamike u raportua një “rritje shumë e lehtë” e aktivitetit në internet pas një bllokade tetëditore.
Grupi HRANA me bazë në SHBA tha se kishte verifikuar 3,090 viktima, mes të cilëve 2,885 protestues, ndërsa banorët në Iran pohojnë se reagimi i dhunshëm i forcave të sigurisë duket se i ka frenuar gjerësisht protestat për momentin, ndërsa mediat shtetërore raportuan arrestime të tjera.
Kryeqyteti Teheran ka qenë relativisht i qetë prej katër ditësh, thanë disa banorë të kontaktuar nga Reuters.
Dronë fluturonin mbi qytet, por nuk kishte shenja protestash të mëdha të enjten apo të premten, thanë banorët, të cilët kërkuan të mbeten anonimë për arsye sigurie.
Kundërpërgjigjja e ashpër e forcave qeveritare ka bërë që revolta të qetësohet edhe në qytete të tjera të Iranit, sipas raportimeve.

Protestat shpërthyen më 28 dhjetor për shkak të vështirësive ekonomike dhe u shndërruan në demonstrata të gjera që kërkonin fundin e sundimit klerikal të ajatollahëve në Republikën Islamike.
Sipas grupeve opozitare dhe një zyrtari iranian, më shumë se 2,000 persona u vranë në trazirat më të rënda të brendshme që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Ndërkohë, raportimet janë për një rikthim të internetit.
Disa iranianë jashtë vendit shkruan në rrjetet sociale se kishin arritur të dërgonin mesazhe te përdorues që jetojnë brenda Iranit herët të shtunën.
Presidenti amerikan Donald Trump, i cili kishte kërcënuar me “veprim shumë të fortë” nëse Irani do të ekzekutonte protestues, tha se udhëheqësit e Teheranit kishin anuluar varje masive.
“E respektoj shumë faktin që të gjitha varje e planifikuara, që do të zhvilloheshin dje (mbi 800 prej tyre), janë anuluar nga udhëheqja e Iranit. Faleminderit!”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Irani nuk kishte njoftuar plane për ekzekutime të tilla dhe as nuk kishte thënë se i kishte anuluar.