Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova thotë se është mirë që liderët e partive ndonjëherë të takohen drejtpërdrejt, në vend që të komunikojnë përmes ndërmjetësve.
Ajo vlerëson se pas takimit të fundit të liderëve, të gjithë “kanë qenë të relaksuar dhe të bindur se hapi i radhës do të jetë edhe më i mirë”, por shton se aty duhej të ishte edhe lideri i opozitës së LSDM-së, Venko Filipçe.
Sipas saj, ka ardhur koha që liderët të ulen dhe të krijojnë zgjidhje për Kodin Zgjedhor, jo në fund të mandatit, por në fillim të tij, dhe jo vetëm për çështjen e njësisë zgjedhore.
Siljanovska konsideron se nuk është e mirë ideja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në këtë moment, sepse, siç thekson ajo, ka shumë probleme serioze që tashmë kanë filluar të zbatohen dhe është më mirë që disa prej tyre të përfundojnë.
“Si profesoreshë, ashtu si edhe shumë kolegë të mi, do të thosha se takimet e liderëve i forcojnë liderët, por i dobësojnë institucionet. Megjithatë, në një shoqëri të ndarë si e jona dhe në kuadër të demokracisë konsociative që e kemi ndërtuar jo vetëm në praktikë, por edhe në Kushtetutë, është mirë që ndonjëherë ata të takohen.
Është shumë më mirë sesa të flasin përmes ndërmjetësve; ambienti është ndryshe, njerëzit sillen ndryshe. Dhe kur janë jashtë syrit të publikut, arrijnë të jenë më natyralë. Rezultatin e pamë – të gjithë ishin të relaksuar dhe të bindur se hapi i ardhshëm do të jetë edhe më i mirë. Mendoj se mungonte dhe duhej të ishte aty edhe lideri i opozitës, Venko Filipçe”, tha Siljanovska për televizionin Sitel.
E pyetur për qëndrimin e saj lidhur me shfuqizimin e Qeverisë teknike, ajo u shpreh se “kemi një qeveri zgjedhore tepër partiake, e përbërë nga njerëzit më besnikë të partive, e cila, edhe pse funksionon, nuk ka bazë kushtetuese”.
“Po, ekzistojnë qeveri teknike. Ato formohen ose në kushte krizash, ose para zgjedhjeve, zakonisht janë qeveri eksperte, të përbëra nga profesorë, ku në krye të qeverisë është një ekspert ose burokrat. Qeveria jonë quhet teknike, por nuk ka asgjë teknike në të. Termi ‘teknik’ gjithmonë lidhet me profesionalizëm dhe kompetencë, kurrë me përkatësi partiake.
Ne kemi një qeveri zgjedhore tepër partiake. Duhet ta them se, pavarësisht se funksionon, ajo nuk ka bazë kushtetuese. Në Kushtetutë, në pjesën që ka të bëjë me qeverinë, nuk do të gjeni askund se ekziston një qeveri kalimtare apo teknike. Kur thashë ‘tepër partiake’, e kisha fjalën për strukturën – zakonisht brenda saj ulen njerëzit më besnikë të partive, gjë që e bën interesante për studim dhe për kritikë”, tha ajo.