Si u vra Arkani në hollin e hotelit Intercontinental në Beograd, 25 vite nga vdekja e paramilitarit famëkeq serb
Sot mbushen 25 vjet nga vrasja e paramilitarit famëkeq serb, Zeljko Raznatoviç, i njohur si Arkani. Ngjarja ndodhi të shtunën, më 15 janar 2000, rreth mesditës, në hollin e hotelit Intercontinental në Beograd. Arkani, i shoqëruar nga dy truproja, po ecte drejt hollit kur u qëllua nga Dobrosha Gavriç – një ish-oficer policie – së bashku me Milan Gjuriçiçin dhe Dragan Nikoliçin.
Pasi nxorrën armët automatike, Arkanit dhe truprojave të tij nuk iu dha mundësia të reagojnë. Ai mori tre plumba në kokë dhe vdiq në vend. Truproja që prisnin jashtë e vendosën trupin e tij në makinë, por tashmë ishte tepër vonë.
Zeljko Raznatoviç, i njohur për udhëheqjen e Gardës Vullnetare Serbe, të quajtur “Tigrat e Arkanit”, mori pjesë në krime të shumta gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Ai u akuzua për vrasje masive, përfshirë në Vukovar, Banja Luka dhe Bosnjë, ku komunitetet myslimane dhe katolike u sulmuan pa mëshirë.
Nga adoleshenca, Arkani tregoi një karakter të dhunshëm dhe të padisiplinuar, duke filluar me vjedhje të vogla dhe përfshirje në krime më të rënda. Në fillim të viteve ’70, ai u rekrutua nga Shërbimi Jugosllav i Sigurisë (UDBA) për të vepruar jashtë vendit kundër disidentëve. Më vonë, përmes këtyre lidhjeve, ai fitoi mbështetje dhe influencë në krimin e organizuar ndërkombëtar, duke operuar në vende si Belgjika, Holanda, Suedia dhe Gjermania.
Në vitin 1990, pas zgjedhjeve të para të lira në Kroaci, Ai krijoi Gardën Vullnetare Serbe, e njohur si “Tigrat e Arkanit”, e cila u bë simbol i terrorit paramilitar gjatë luftërave civile. Ranatoviç drejtoi sulme ndaj popullsive kroate dhe myslimane, duke kryer vrasje, grabitje dhe shkatërrim të komuniteteve lokale.
Pavarësisht aktivitetit të tij kriminal, në Serbi shumë e konsideruan hero kombëtar. Ai u martua tre herë, pati tetë fëmijë dhe u bë figurë publike përmes këngëtares së njohur Ceca dhe pronësisë së ekipit të futbollit Obiliq në Beograd. Pas luftës, ai u bë biznesmen dhe vazhdoi të mbante ndikim në shoqëri.