Trump paralajmëron Iranin, zotohet për “veprime të ashpra” nëse ekzekutohen protesuesit





Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka paralajmëruar se do të “ndërmarrë veprime shumë të forta” nëse autoritetet iraniane fillojnë të ekzekutojnë protestuesit antiqeveritarë.

“Ne do të ndërmarrim veprime shumë të forta. Nëse ata bëjnë një gjë të tillë, ne do të ndërmarrim veprime shumë të forta,” ka deklaruar Trump për CBS News.

Trump tha se është në dijeni se një numër “mjaft i konsiderueshëm” njerëzish janë vrarë gjatë më shumë se dy javëve të demonstratave.

Në një postim në rrjetet sociale të martën, Trump paralajmëroi se zyrtarët iranianë do të “paguajnë një çmim të madh” për çdo dhunë dhe u premtoi qytetarëve iranianë se “NDIHMA ËSHTË NË RRUGË.” Ai tha se do të anulonte të gjitha takimet me zyrtarët iranianë derisa vrasjet të ndaleshin.

Gjatë intervistës, Trump përsëriti se “ka shumë ndihmë në rrugë” për qytetarët iranianë, duke thënë se ajo po ofrohet në “forma të ndryshme”, përfshirë ndihmën ekonomike. Ai përmendi sulmet ajrore të SHBA-së vitin e kaluar që kishin në shënjestër tre objekte bërthamore të Iranit, por nuk dha detaje të tjera.

Demonstratat u nxitën nga inflacioni i madh dhe rënia e shpejtë e monedhës kombëtare, por më pas u shndërruan në një protestë më të gjerë kundër autoriteteve të vendit.