Qeveria e GRENLANDËS njoftoi sot përpjekje më të mëdha për të mbrojtur territorin e saj si pjesë e NATO-s dhe hodhi poshtë përsëri ambicien e presidentit amerikan për ta marrë atë nën kontroll.
Trump pretendon se SHBA-të duhet të marrin përsipër Grenlandën, një territor autonom që është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, për të parandaluar pushtimin e saj nga Rusia dhe Kina në të ardhmen.
Qeveria e Grenlandës: Të gjithë anëtarët e NATO-s kanë interes në mbrojtjen e Grenlandës
“Të gjithë anëtarët e NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë një interes të përbashkët në mbrojtjen e Grenlandës”, tha qeveria e koalicionit të Grenlandës.
Komisioneri i Mbrojtjes i Komisionit Evropian, Andrius Kubilius, paralajmëroi më herët të hënën se një marrje e Grenlandës nga SHBA-të do të thoshte fundi i NATO-s.
Lituanezi nuk beson se do të ndodhë një pushtim amerikan, por në një forum sigurie në Suedi ai theksoi se Neni 42.7 i Traktatit për Bashkimin Evropian i detyron shtetet anëtare të ndihmojnë Danimarkën ose çdo shtet tjetër anëtar që përballet me agresion ushtarak.
“Kjo do të varet kryesisht nga Danimarka, si do të reagojë dhe cili do të jetë qëndrimi i saj, por padyshim që anëtarët kanë detyrimin të ndihmojnë njëri-tjetrin nëse njëri prej tyre përballet me agresion ushtarak”, tha ai.