Zuli Demiri uron Isen Shabani për fitoren: Respektoj vendimin e popullit, por përkushtimi im vazhdon





Kandidati i pavarur në Komunën e Vrapçishtit, Zuli Demiri, ka falënderuar qytetarët dhe aktivistët pas përfundimit të numërimit të votave dhe zgjedhjeve lokale.

“Të nderuar qytetarë të Komunës së Vrapçishtit, tash – kur janë publikuar rezultatet e zgjedhjeve të sotme – dëshiroj t’ju drejtohem me 3,135 falënderime për secilin që sot ka votuar për ofertën tonë dhe për emrin tim. E falënderoj edhe secilin aktivist dhe secilin që ka dhënë çfarëdo kontributi duke na mbështetur në këtë fushatë. Unë i detyrohem secilit nga ju dhe e falënderoj nga zemra”, tha Zuli, njofton TS.

Demiri theksoi se edhe nëse rezultati nuk ishte ai i dëshiruar, populli ka të drejtën e tij dhe ai respekton vendimin e sovranit

“Duke e njohur rezultatin, ia uroj kundërkandidatit fitoren dhe e respektoj këtë vendim të sovranit.”, tha ai

Ai shtoi se përkushtimi dhe dashuria ndaj qytetarëve nuk përfundon me zgjedhjet.

“Sot përfunduan zgjedhjet në Komunën e Vrapçishtit, por këtu nuk ka përfunduar dashuria ime për bashkëqytetarët e mi dhe asnjëherë nuk do të përfundojë përgjegjësia dhe angazhimi im për ju. Ky detyrim dhe përkushtim kurrë nuk ka përfunduar dhe nuk do të përfundojë. Ju faleminderit nga zemra dhe mirupafshim në garat e ardhshme”, theksoi Demiri.

Deklarata e Demirit pasqyron një qasje të matur dhe respekt për procesin demokratik, duke theksuar përkushtimin e tij të vazhdueshëm ndaj komunitetit të Vrapçishtit./TS