48 orë nën ujë, banorët e fshatit Ferras në Fier fillojnë pastrimin e banesave pas tërheqjes së ujit





Dhjetëra banorë të fshatit Ferras, në Fier, e kanë nisur mëngjesin e sotëm duke pastruar banesat nga uji dhe llumi i mbetur pas përmbytjeve të shkaktuara nga dalja nga shtrati i lumit Vjosë, dy ditë më parë.

Shtëpitë dhe oborret kanë qenë për më shumë se 48 orë nën ujë, ndërsa banorët shprehen se deri në këto momente kanë munguar ndihmat dhe prania e institucioneve përgjegjëse. Sipas tyre, nuk ka pasur asnjë mbështetje në ushqime apo veshmbathje, duke i lënë familjet të përballen të vetme me pasojat e përmbytjes.

“Prej vitesh e kam ndërtuar shtëpinë dhe kjo është hera e tretë që përmbytem. Vitin e kaluar mora vetëm 300 mijë lekë ndihmë, ndërsa këtë vit po flitet se do përfitojnë edhe ata që nuk janë prekur nga përmbytjet”, shprehet një banor i zonës.

Të ndodhur në kushte të vështira dhe pa shpresa për zgjidhje afatgjatë, banorët e fshatit Ferras kërkojnë ndërhyrje emergjente nga institucionet shtetërore, ndihma në ushqime dhe veshmbathje, si edhe investime të menjëhershme në infrastrukturë dhe sistemimin e argjinaturave.

Sipas tyre, situata është bërë e padurueshme dhe rreziku përsëritet sa herë që ka reshje të dendura shiu, duke i lënë familjet të ekspozuara ndaj përmbytjeve të vazhdueshme nga lumi Vjosë.