“U bë det brenda shtëpisë!”, banorët e Katundit të Ri flasin pas përmbytjeve nga lumi Erzen





Dalja nga shtrati e lumit Erzen ka shkaktuar përmbytje të mëdha në disa zona të Durrësit. Më të prekura janë Katundi i Ri dhe Sukthi, ku për dy ditë me radhë qindra banesa, dhjetëra biznese dhe rreth 2,500 hektarë tokë bujqësore kanë qenë nën ujë.

Edhe pse uji është tërhequr mëngjesin e kësaj të shtune, pasojat e përmbytjes mbeten evidente. Banorët e Katundit të Ri tregojnë dëmet e shkaktuara, duke e cilësuar përmbytjen si katastrofike.

“Në këtë nivel nuk ka pasur asnjëherë. Uji ka hyrë rreth 50 centimetra brenda shtëpisë. Frigoriferi, lavatriçja, gjithçka është prishur,” thotë një banor i zonës.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet për vlerësimin e dëmeve dhe mbështetje konkrete, pasi shumë familje kanë mbetur pa kushte minimale jetese.

“Na ka dëmtuar 100 për qind. Nuk ka lënë asnjë shtëpi pa dëmtuar. Janë prishur orenditë, divanet, gjithçka. Në zdrukthtari janë dëmtuar makineritë. Kur u zgjuam nga gjumi, ishte bërë det, nuk mund të bëje asgjë. Kjo ka qenë shumë më e madhe se përmbytjet e tjera. Ende nuk ka ardhur askush për të vlerësuar dëmet,” thotë një tjetër banor.