Snopçe: Nuk ka birë nane që mund të frikësoj gostivarasit! (VIDEO)

Në tubimin zgjedhor të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), i cili po mbahet sonte në Gostivar, Halil Snopçe mbajti një fjalim të fuqishëm politik, duke theksuar vendosmërinë e qytetarëve për të mos lejuar ndërhyrje apo presione në vullnetin e tyre zgjedhor.

Duke iu referuar himnit të koalicionit dhe vargut “Vendi im amanet që nuk falet”, Snopçe u shpreh se Gostivari është një amanet që nuk negociohet dhe nuk falet, duke e lidhur këtë mesazh me dashurinë dhe përgjegjësinë ndaj vendlindjes, njofton TS.

Ai solli në vëmendje edhe një citim nga poeti Dritëro Agolli, përmes të cilit ironizoi deklaratat e kundërkandidatëve, duke i cilësuar ato si përpjekje për frikësim dhe manipulim të opinionit publik.

“Nuk ka bir nëne që mund ta frikësojë Gostivarin. Nuk ka aparat shtetëror që mund ta ndalë vullnetin, entuziazmin dhe vendosmërinë e gostivarasve”, theksoi Snopçe, mes duartrokitjeve të të pranishmëve.

Ai bëri thirrje që më 11 janar, qytetarët të dalin masivisht në votime dhe të mbështesin numrin 3, duke dhënë një mesazh të qartë se, sipas tij, me Gostivarin dhe me koalicionin AKI nuk ka tallje.

Tubimi përmbyllës në Gostivar shënon një nga aktivitetet kryesore të fushatës së Aleancës Kombëtare për Integrim, në prag të zgjedhjeve lokale, ku pritet një garë e fortë për drejtimin e komunës së Gostivarit./TS