Lumi Vardar del nga shtrati, përmbyten disa shtëpi në Strimnicë





Lumi Vardar ka dalë nga shtrati gjatë orëve të fundit, duke shkaktuar përmbytje në fshatin Strimnicë, në Komunën e Zhelinës. Si pasojë e reshjeve të dendura, uji ka depërtuar në disa oborre dhe shtëpi banimi, duke shkaktuar dëme materiale dhe shqetësim te banorët raporton Tetovasot.

Nga pamjet e siguruara nga terreni shihet se niveli i ujit është rritur ndjeshëm, ndërsa rrjedha e lumit ka dalë jashtë shtratit të zakonshëm, duke përmbytur sipërfaqe bujqësore dhe zona të banuara. Banorët shprehen se situata është e vështirë dhe kërkojnë reagim urgjent nga institucionet përkatëse.

Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa autoritetet lokale janë në monitorim të situatës . Apelohet që qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin lëvizjet pranë shtratit të lumit.

Tetovasot do të vazhdojë ta ndjekë situatën dhe do t’ju informojë me zhvillimet e reja.