Jetëgjatësia rritet, por Maqedonia e Veriut po zbrazet! Saraji dhe Çairi kryesojnë me rritje natyrore pozitive në vend

Jetëgjatësia në Maqedoninë e Veriut është rritur për një vit dhe në vitin 2024 ka arritur mesatare në 76,6 vjet, por vendi vazhdon të përballet me rënie të popullsisë për shkak të rritjes natyrore negative.

Sipas të dhënave nga “Vjetari Statistikor i Republikës së Maqedonisë së Veriut 2025”, publikuar nga Enti Shtetëror i Statistikës, gjatë vitit 2024 kanë lindur 16.061 fëmijë, ndërsa kanë vdekur 20.201 persona, që përbën një rënie të popullsisë prej 4.140 banorësh. Vetëm rajoni i Shkupit ka shënuar rritje natyrore pozitive, ndërsa në të gjitha rajonet e tjera numri i vdekjeve ka tejkaluar ndjeshëm numrin e lindjeve.

Jetëgjatësia mesatare është rritur nga 75,32 vjet në vitin 2023 në 76,63 vjet në vitin 2024. Gratë jetojnë më gjatë, me një mesatare prej 78,86 vjetësh, ndërsa burrat 74,48 vjet.

Në gjashtë vitet e fundit, që nga viti 2019, vendi ka pasur rritje natyrore negative. Vetëm brenda një viti, numri i lindjeve të gjalla ka rënë për rreth 700, nga 16.737 në vitin 2023 në 16.061 në vitin 2024. Në dhjetë vitet e fundit, lindjet kanë rënë nga 23.002 në vitin 2016.

Rajoni i Shkupit ishte i vetmi me rritje pozitive natyrore, veçanërisht në Saraj (+8.4) dhe Çair (+5.5 për 1.000 banorë). Rënia më e madhe natyrore u regjistrua në Novosellë (-14.8), Novac (-13.7), Nagoriçan i Vjetër (-13.6) dhe Kratovë (-12.8).

Shkaqet më të shpeshta të vdekjes janë sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut (36.6%), kanceret (19.6%) dhe sëmundjet endokrine e metabolike (7.7%).

Vitin e kaluar, numri i martesave ka rënë për 1.600 dhe ka arritur në 11.066, ndërsa shkurorëzimet janë rritur për 259, duke arritur në 2.024. Mesatarisht, në nivel shtetëror janë regjistruar 183 shkurorëzime për 1.000 martesa, me normën më të lartë në rajonet e Vardarit, Lindjes dhe Juglindjes.