Balancuesi solli përfaqësim, VLEN po sjell përjashtim – Avokati i Popullit konfirmon rritje sa ishte në fuqi balancuesi
Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ashpër ndaj propagandës së radhës së VLEN-it, i cili po përpiqet të paraqesë një realitet të rremë përmes statistikave të manipuluara dhe triumfalizmit artificial, ndërkohë që në terren po ndodh e kundërta: përjashtim i shqiptarëve nga institucionet shtetërore.
Avokati i Popullit e konfirmon qartë se rritja e përfaqësimit të shqiptarëve ka ndodhur deri në tetor të vitit 2024, pra përderisa ishte në fuqi mekanizmi i balancuesit. Çdo shifër pozitive në raportin për vitin 2024 është rezultat direkt i këtij mekanizmi kushtetues, i ndërtuar dhe i mbrojtur nga BDI, e jo i ndonjë politike apo angazhimi të VLEN-it.
Ndërkohë, pas shfuqizimit të balancuesit, realiteti në institucione flet ndryshe.
Vetëm para një jave, shtatë shqiptarë me vendime të përhershme pune janë larguar pa asnjë arsye ligjore, nën përgjegjësinë direkte të ministrit Stoillkoviq, ndërsa VLEN hesht. Edhe më alarmante është se në mesin e të larguarve ka edhe invalid të luftës, çka përbën një padrejtësi të rëndë ligjore, morale dhe kombëtare.
VLEN premtoi se do t’i “mbronte administratorët shqiptarë”. Sot është e qartë se nuk ka as zë, as guxim dhe as vullnet politik për t’u dalë në mbrojtje. Heshtja e tyre përballë këtyre largimeve arbitrare është bashkëfajësi politike.
Ironia politike arrin kulmin kur VLEN, bashkë me VMRO-DPMNE-në, sulmonte balancuesin, ndërsa sot përfitimet e tij i paraqet si sukses të vetin. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e balancuesit në tetor të vitit 2024, që ata e shpallin si “fitore”, nuk është gjë tjetër veçse realizim i drejtpërdrejtë i programit parazgjedhor të VMRO-DPMNE-së, i kopjuar fjalë për fjalë edhe në programin qeveritar të dorëzuar në Kuvend në vitin 2024.
Sa i përket të ashtuquajturit “Ligj për përfaqësim të drejtë” të Karakamishevës, BDI e bën të qartë se ky ligj, në formën aktuale, jo vetëm që nuk garanton përfaqësim, por e minon tërësisht atë. Ai:
• nuk parasheh kuota etnike;
• nuk parasheh identifikim etnik të qytetarëve;
• nuk ka mekanizma zbatimi për realizimin e vlerës kushtetuese të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat;
• dhe nuk përmban asnjë dispozitë sanksionuese, duke e bërë ligjin të pazbatueshëm dhe vetëm dekor politik.
Të flasësh për “rritje të përfaqësimit”, ndërkohë që shqiptarët po largohen nga puna pa arsye dhe pa mbrojtje institucionale, është hipokrizi politike.
BDI nuk flet me propagandë, por me fakte. Ne nuk mbrojmë statistika, por njerëz konkretë, familje konkrete dhe dinjitetin e shqiptarëve në këtë shtet.
Sot është e qartë:
Balancuesi solli përfaqësim. VLEN po sjell përjashtim.
