Zelensky në fjalimin e Krishtlindjes: Të gjithë kemi një ëndërr, që Putini të vdesë

Presidenti Volodymyr Zelensky u drejtoi një përshëndetje ukrainasve në prag të Krishtlindjes, duke deklaruar se, “pavarësisht gjithë vuajtjeve që ka sjellë”, Rusia nuk është në gjendje të “pushtojë” atë që ka më shumë rëndësi: unitetin e Ukrainës. Zelensky shprehu gjithashtu dëshirën për vdekjen e Putinit, pa e përmendur drejtpërdrejt presidentin rus me emër, duke e quajtur këtë një “ëndërr të përbashkët” të ukrainasve.

“Ne e festojmë Krishtlindjen në një moment të vështirë. Fatkeqësisht, jo të gjithë jemi sonte në shtëpi. Fatkeqësisht, jo të gjithë kanë ende një shtëpi. Dhe fatkeqësisht, jo të gjithë janë me ne sonte. Por, pavarësisht gjithë vuajtjeve të sjella nga Rusia, ajo nuk është në gjendje të pushtojë apo të bombardojë atë që ka më shumë rëndësi. Ky është zemra jonë ukrainase, besimi ynë i ndërsjellë dhe uniteti ynë”, tha Zelensky.

“Sot ne të gjithë ndajmë një ëndërr. Dhe shprehim një dëshirë, për të gjithë ne. ‘Qoftë i vdekur’, secili prej nesh mund ta mendojë në heshtje. Por kur i drejtohemi Zotit, sigurisht, kërkojmë diçka më të madhe. Kërkojmë paqe për Ukrainën. Luftojmë për të. Dhe lutemi për të. Dhe e meritojmë”, u shpreh ai.

Në fjalimin e tij, Zelensky tha gjithashtu se në këtë moment ukrainasit luten për të gjithë ata që janë në vijën e parë të frontit: që të kthehen të gjallë. Për të gjithë ata që janë robër: që të kthehen në shtëpi. Për të gjithë heronjtë tanë të rënë që e kanë mbrojtur Ukrainën me çmimin e jetës së tyre. Për të gjithë ata që Rusia i ka detyruar në pushtim dhe në arrati. Për ata që po luftojnë, por nuk e kanë humbur Ukrainën brenda vetes, dhe për këtë arsye Ukraina nuk do t’i humbasë kurrë”.

Ky është Krishtlindja e tretë që Ukraina e feston më 25 dhjetor, sipas kalendarit perëndimor gregorian, së bashku me Perëndimin, pasi dy vjet më parë vendosi të braktisë kalendarin e vjetër julian të shumë kishave ortodokse, si ajo ruse, të cilat Krishtlindjen e festojnë më 7 janar.