Orban: BE-ja po shpërbëhet, Evropa po shkon drejt luftës





Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, në një intervistë për Krishtlindje për gazetën hungareze “Magyar Nemzet”, theksoi se nuk mund të përjashtohet mundësia që viti 2025 të jetë viti i fundit i paqes për Evropën.
– Jemi mësuar me paqen. Lufta e fundit e madhe evropiane përfundoi në vitin 1945 dhe që atëherë kanë kaluar 80 vjet. Kjo është një gjendje jashtëzakonisht e rrallë për Evropën, – tha Orbán.
Ai u ndal edhe te Samiti i BE-së në Bruksel, duke theksuar se Evropa aktualisht po i afrohet luftës.
– Javën e kaluar në Bruksel arritëm vetëm ta ngadalësonim ritmin me të cilin Evropa po shkon drejt luftës. Disa donin ta përshpejtonin këtë proces në hipershpejtësi, ndërsa ne arritëm ta bllokojmë këtë. Por nuk e ndaluam vetë procesin, vetëm e penguam përshpejtimin e tij, – deklaroi Orbán.
Sipas tij, Evropa është sërish e ndarë.
– Sot në Evropë ka dy kampe: kampi i luftës dhe kampi i paqes. Aktualisht dominojnë forcat që mbështesin luftën. Brukseli dëshiron luftë. Hungaria dëshiron paqe, – përsëriti Orbán.
Ai vlerësoi se përfshirja e Evropës në luftën në Ukrainë nuk ishte e pashmangshme.
– Në shkurt të vitit 2022, Evropa mund të dërgonte një mision paqeruajtës në Moskë dhe Kiev, në vend që ta shpallte këtë konflikt si luftë të sajën. Po të kishte ndodhur kjo, sot nuk do të jetonim nën hijen e luftës, – tha kryeministri hungarez.
Orbán kritikoi sërish mënyrën e vendimmarrjes në Bashkimin Evropian.
– BE-ja sot është në gjendje shpërbërjeje. Jemi dëshmitarë të një procesi shpërbërjeje që zhvillohet paralelisht me forcimin e ambicieve imperialiste të burokracisë së Brukselit, – theksoi ai.
Si shembull përmendi tranzicionin e gjelbër.
– Programi u shpall kundër vullnetit të shteteve anëtare dhe dëmtoi rëndë industrinë evropiane, veçanërisht industrinë kimike dhe prodhimin e automobilave. Kur u bë e qartë se ishte i pazbatueshëm, ata u tërhoqën. E njëjta gjë po ndodh edhe me politikën e migracionit, – shtoi Orbán.
Ai paralajmëroi se pa ndryshime të thella dhe reforma themelore, do të pasojë një proces i pakthyeshëm, ku shpërbërja do të arrijë në një pikë pa kthim.
Orbán përsëriti se Hungaria është kundër anëtarësimit të Ukrainës në BE.
– Sot thuhet se fuqia ushtarake e Ukrainës rrit sigurinë e Evropës, por kjo nuk është e vërtetë. Mbajtja e Ukrainës po i shteron energjinë dhe burimet e Evropës. Me Ukrainën, ne bëhemi çdo ditë më të dobët, – theksoi ai.
Ai shtoi se edhe ekonomia hungareze po vuan për shkak të luftës dhe dobësimit të BE-së. Sipas tij, politika e sanksioneve e BE-së e ka vrarë industrinë evropiane.
Në fund, Orbán u dërgoi një mesazh hungarezëve në një kohë trazirash në botën perëndimore.
– Duaje të afërmin tënd si veten. Tani po përqendrohem te pjesa e dytë – duaje veten. Kjo nuk do të thotë vetëkënaqësi, por respekt për arritjet personale. Vetëdija e drejtë sjell vetërespekt, ndërsa vetërespekti mundëson njohjen e suksesit të të tjerëve – kjo është dashuria për të afërmin. Nuk shoh rrugë tjetër që mund t’i çojë hungarezët drejt paqes, – përfundoi Orbán në intervistën për “Magyar Nemzet”.