Meloni jep mesazhin mes rreshtave: Pushoni për festat, viti që vjen do jetë më i keq





Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka uruar stafin e Zyrës së Kryeministrit për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, duke kombinuar falënderimet me nota humori dhe mesazhe motivuese për punën që i pret në muajt në vijim.

Gjatë një takimi të zhvilluar të martën në oborrin e Zyrës së Kryeministrit, Meloni vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e bashkëpunëtorëve të saj gjatë vitit që po mbyllet.

“Ju dua. Ne jemi një familje dhe luftojmë gjatë gjithë vitit”, u shpreh ajo.

Kryeministrja i ftoi anëtarët e stafit që të shfrytëzojnë pushimet e Krishtlindjeve për të rikuperuar energjitë, duke theksuar se vendin e pret një vit i vështirë pune. Me tone humori, ajo shtoi se sfidat nuk do të mungojnë as në vitin e ardhshëm.

“Mos u shqetësoni, sepse viti tjetër do të jetë edhe më keq”, tha Meloni me shaka.

Në përfundim, kryeministrja theksoi rëndësinë e përgatitjes për sfidat që e presin Italinë, duke nënvizuar se pushimi gjatë festave është i domosdoshëm për të vijuar punën me energji të reja dhe për t’i dhënë përgjigjet e nevojshme vendit.