Bashkimi Demokratik për Integrim ka mbajtur sot mbledhjen e Kryesisë Qendrore, gjatë së cilës janë marrë disa vendime të rëndësishme organizative dhe kadrovike.
Arta Bilalli Zendeli, pas përfundimit të mbledhjes bëri të ditur se, me vendim të Kryesisë dhe në pajtim me statutin e miratuar në Kongresin e fundit të partisë, kryetari Ali Ahmeti ka realizuar disa emërime, njofton TS.
Sipas saj, z. Faton Ahmeti është emëruar shef i kabinetit të kryetarit të BDI-së, ndërsa znj. Arta Bilalli Zendeli është emëruar zëdhënëse e partisë. Po ashtu, për këshilltar për marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kryetarit të BDI-së është emëruar z. Seadin Mbeqiri.
Gjithashtu, kryetari Ahmeti ka emëruar edhe kryetarët e rinj të degëve të BDI-së në disa qytete. Për Degën e Tetovës është emëruar z. Bajram Regjepi, për Kumanovën z. Ridvan Asani, për Strugën z. Faton Pollozhani, për Gostivarin z. Valde Xhaferi, ndërsa për Degën e Çairit është emëruar z. Bujar Osmani.
Sipas Zendelit, këto vendime synojnë fuqizimin e strukturave partiake dhe rritjen e efikasitetit të organizimit të brendshëm të BDI-së në periudhën e ardhshme./TS
