Taravari nga Gostivari: Limani do ta fitojë bindshëm garën, paralajmëroi edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare (VIDEO)
Taravari nga Gostivari: Limani do ta fitojë bindshëm garën, paralajmëroi edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare
Kryetari i ASH-së dhe njëri nga liderët e koalicionit AKI, Arben Taravari, në hapjen e fushatës për zgjedhjet e përsëritura në Gostivar, deklaroi se kandidati i koalicionit të tyre, Valbon Limani, do të shënojë fitore të thellë ndaj kundërkandidatit Nevzat Bejta.
“Kryetar Ali Ahmeti ne e dimë ku i ka dhe si t’ia nxjerim ‘shtrafat’ atij. Unë e kam fituar dy herë këtë garë dhe e dimë si të përballemi me këtë kundërshtar. Tani Valboni do ta fitojë plotësisht dhe do ta demolojmë. Herën e fundit fitova me mbi 5.700 vota diferencë, ndërsa tani fitorja do të jetë edhe më e thellë,” deklaroi Taravari.
Duke folur për kundërkandidatin dhe për koalicionin VLEN, të cilin e quajti “LEN”, Taravari tha se ky koalicion i ngjan kandidatit që ka zgjedhur në Gostivar. Ai shtoi se Bejta, pavarsisht që ka vendosur sërish të garojë, por sipas tij, rezultati do të jetë i njëjtë si më parë.
Taravari theksoi se Nevzat Bejta duhet ta ketë të qartë se në këto zgjedhje nuk garon me të, por me kandidatin Valbon Limani. “Ai thotë se Valboni është djalë i mirë dhe këtë e dimë të gjithë. Prandaj, le ta votojë edhe ai Valbonin më 11 janar,” tha Taravari me ironi.
Ai falënderoi të gjitha strukturat e koalicionit për fitoren e 19 tetorit dhe bëri thirrje për angazhim maksimal që kjo fitore të konfirmohet edhe një herë më 11 janar. “Ky qytet ka respekt për Valdetin dhe Valbonin dhe jam i bindur se ata do ta drejtojnë si një dyshe fantastike qytetin,” u shpreh Taravari.
Në fund të fjalimit, Taravari lavdëroi zhvillimet brenda BDI-së, duke vlerësuar se disa figura të vjetra po riciklohen përmes aleancave të reja. Ai përgëzoi Ali Ahmetin për Kongresin partiak dhe reformat e shpallura, duke theksuar se këto ndryshime, sipas tij, janë vlerësuar edhe nga faktori ndërkombëtar.
“Izet Mexhiti është bërë si lavatriçe e BDI, duke marrë me vete figura si Nevzat Bejta e Ramis Merko”, tha Taravari.
Gjithashtu, Taravari paralajmëroi se gjatë vitit të ardhshëm pritet mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. “Ato mund të mbahen në prill, maj apo tetor, por një gjë është e sigurt: zgjedhjet e parakohshme nuk mund t’i ndalë askush dhe do të mbahen,” përfundoi ai.
