Pas mbajtjes së Kongresit të Pestë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), i cili u zhvillua sot në Shkup, ish nënkryetari i BDI-së, Bajram Rexhepi, përmes një postimi ka uruar Ali Ahmetin për rizgjedhjen në krye të partisë, njofton TS.
Rexhepi bëri të ditur se kongresi rizgjodhi Ali Ahmetin në krye të partisë edhe për një mandat të ri, si dhe zgjodhi një pjesë të organeve të reja partiake.
Ai theksoi se BDI vazhdon të mbetet struktura më e organizuar politike në vend, duke nënvizuar se si një familje e madhe politike, partia ka hapësirë për të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë në misionin e nisur 23 vite më parë.
“Në këtë rrugëtim të përbashkët, bashkimi dhe forca kolektive mbeten vlerat tona kryesore,” ka theksuar Rexhepi, duke përfunduar mesazhin e tij me thirrjen për unitet: “Bashkë jemi më të fortë.”
Bajram Rexhepi ishte deri sot nënkryetar i BDI-së, por sot pas Kongresit ai është zgjedhur anëtarë i Kryesisë Qendrore./TS