Pasi morën pushtetin dy vjet më parë komitët në Severnistan po i zënë frymën “maqedonsave”, (shqiptarëve) që ankohen dhe qurraviten para militantëve të tyre dhe ndërkombëtarëve se ky pusht-shtet nuk na respekton, por përkundrazi, çdo ditë e më shumë po na keqtrajton, na rreh e na përdhos identitetin kombëtar, madje na mohon edhe ato të drejta që i kemi fituar me djersë e gjak.
Dhe përgjigja befasuese që vjen nga shqiptarët lojalë të pushtetit është se ai që të do të rreh!
“Shfalerka VREDI” në mes të kësaj zallahie, ku shqiptarët po ngulfaten në të gjitha fushat e jetës, ato dalin herë pas here nga deriçka e bordellos qeveritare me prononcime vetëlëvduese të arritjeve dhe për ndryshimin që nuk u duk gjëkundi sesi “asnjëherë më parë shqiptarët po ndihen të respektuar dhe të barabartë” në qeverinë e koalicionit, me broçkulla të tjera si këto që paskëshin ardhur me ndryshimin që ata sollën për shqiptarët.
Dhe rezultatet e ndryshimit vredist flasin qartë për atë ngulfatje që despoti Micko dhe komitët po i shkaktojnë shqiptarëve në të gjitha fushat, duke filluar nga prurja e ligjit për përfaqësim të drejt dhe adekuat, ligj i cili nuk do të respektoj zbatimin e kriterit etnik në punësime, por vetëm profesionalizmin dhe meritokracinë.
Një tjetër ligj prapakthehu për shqiptarët do të jetë shfuqizimi i disa neneve të ligjit për gjuhët e pakicave që Gjykata Kushtetuese do t’i shfuqizojë pas dy apo tre muajve të ardhshëm, pasi sipas saj janë në kundërshtim me kushtetutën dhe i japin gjuhës shqipe më shumë kompetenca seç duhet të kenë.
Kufizimi i gjuhës shqipe dhe mosrespektimi i saj nëpër mbishkrimet dhe emërtimete rrugëve dhe në disa institucione të tjera siç janë stacionet policore nëpër komuna me shumicë shqiptare, “na qenkësh ndryshim” që ka ardhur si meritë e punës dhe qëndrimit të shfalerkës VREDI në krye të qeverisë së koalicionit.
Pra, të gjitha këto ndryshime prapa kthehu me ardhjen e komitëve në pushtet pas afro dy vjet më parë, për hyzmeqarët e VREDI-t janë ndryshimi që ata sollën si kurrë më parë si “dinjitet dhe progres për shqiptarët” e Severnistanit!
Medai Shaholli