Shoqatat shqiptare në SHBA dhe Kanada mbështesin fuqishëm protestën për drejtësi për çlirimtarët tanë dhe për luftën e drejtë të UÇK-së, e cila organizohet në Shkup

Më 13 dhjetorë në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, shqiptarët do të ngrihen në këmbë për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët dhe për të mbrojtur nderin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Kjo nuk është thjesht një ngjarje lokale. E njajta ka marrë edhe përmasa ndërkombëtare. Një valë mbështetjesh kanë mbërritur nga shoqatat shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Nju Jorku, Miçigeni, nga Kalifornia dhe Kanadaja, duke dëshmuar se zemra e kombit shqiptar rreh njësoj kudo ku flitet shqip.

Në deklaratën e tyre, këto organizata kanë theksuar se kjo protestë nuk është thjesht një tubim qytetar. Është një akt moral dhe historik, një përpjekje për të mbrojtur të vërtetën, sakrificën dhe dinjitetin e atyre që luftuan për lirinë e shqiptarëve. “Diaspora jonë është zemra e kombit në botë, dhe sot zemra rreh fort për drejtësi. Nuk ka heshtje që mund të shuajë kujtimin e atyre që dhanë gjithçka për lirinë tonë,” shprehen organizatat në një deklaratë të tyre të përbashkët.

Protesta synon të denoncojë akuzat selektive dhe të fabrikuara kundër udhëhrqësve të UÇK-së, proceset e stërzgjatura gjyqësore dhe heshtjen për krimet serbe që shkatërruan jetët e mijëra shqiptarëve. Ata theksojnë se kjo nuk është një betejë politike por një betejë morale dhe historike.

Shoqatat shqiptare në SHBA dhe Kanada kanë bërë thirrje për mbështetje ndërkombëtare, duke kërkuar nga Senati, Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë të garantojnë një proces të drejtë, të paanshëm dhe të pa ndikuar nga politika dhe presionet e jashtme. Ata theksojnë se drejtësia nuk mund të blihet, nuk mund të manipulohet dhe nuk guxon të vonohet.

Në këtë deklaratë ata rikujtojnë tragjeditë e Reçakut, Krushës, Mejës, Izbicës, Poklekut, Studimes dhe qindra fshatrave të djegura, ku mijëra shqiptarë u vranë, u dhunuan, u dëbuan dhe disa ende nuk janë gjetur. “Asnjë propagandë, asnjë heshtje nuk mund të shuajë dhimbjen dhe sakrificën e shqiptarëve. Historia nuk mund të rishkruhet sipas oreksit të atyre që shkaktuan tragjedi,” potencojnë shoqatat në fjalë.

Mesazhi i diasporës është i qartë: Populli shqiptar ka qenë viktimë, jo agresor. UÇK-ja ka qenë mburoja e lirisë e jo burrimi i krimit. Drejtësia nuk mund të bëhet viktimë e gjeopolitikës.

Shoqatat shqiptare shprehen poashtu se protesta e 13 dhjetorit në Shkup është një thirrje për bashkim kombëtar dhe përgjegjësi morale: çdo qeveri, parti ose individ që hesht apo kundërshton kërkesën për drejtësi, bie ndesh me popullin që pretendon të përfaqësojë. “Mosdija falet, tradhëtia jo,” citojnë organizatat, duke kujtuar fjalët e Hasan Prishtinës dhe duke nënvizuar se besa dhe dinjiteti i shqiptarëve janë të pathyeshëm.

Nëpërmjet kësaj proteste, shqiptarët në Shkup dhe diaspora në SHBA dhe Kanada dërgojnë një mesazh të fuqishëm: Deri në drejtësi, deri në mbrojtjen e UÇK-së dhe të gjithë atyre që na sollën lirinë, ne nuk do të ndalemi.

Më 13 dhjetor Shkupi do të jetë zemra e një beteje morale dhe historike. Këto ditë, secili shqiptar kudo në botë ndjen thirrjen për drejtësi. Historia, sakrifica dhe nderi i bijve më të nderuar të kombit shqiptar kërkojnë të dëgjohen. Diaspora shqiptare në SHBA dhe Kanada, duke qëndruar krah për krah me qytetarët në Shkup, dëshmon qartë se zëri i shqiptarëve nuk mund të heshtet, nuk mund të fshihet dhe nuk mund të shlyhet.

Ja deklarata e plotë:

DEKLARATË PUBLIKE

Në mbështetje të protestës për drejtësi ndaj pjesëtarëve të UÇK-së
Sheshi “Skënderbeu”, Shkup!

Sot, në këtë ditë të shënuar, nën thirrjen e Organizatës së Veteranëve të Luftës dhe të organizatorëve atdhedashës që luftojnë për kombin shqiptar — në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë, Shqipëri e në çdo troje ku flitet shqip — ngrihemi në këmbë me një qëllim të madh:

të mbrojmë të vërtetën, të mbrojmë luftën e shenjtë çlirimtare dhe të kërkojmë drejtësinë që u takon bijve më të nderuar të këtij kombi.

Kjo protestë nuk është tubim.
Kjo është një betejë morale.
Një amanet i gjakut.
Një përballje me padrejtësinë.

Siç do të thoshte Isa Boletini:
“Kush prek nderin e shqiptarit, ka prekë në zjarr.”
Dhe sot, po preket nderi i UÇK-së, i sakrificës së saj dhe i lirisë sonë.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk u lind nga ambicia, por nga dhimbja.
Nuk u ngrit për pushtim, por për mbrojtje.
Nuk luftoi për interesa, por për ekzistencë.

Ajo u mbështet nga:
• gjeneralët amerikanë,
• komandantët e NATO-s,
• strukturat ushtarake e diplomatike perëndimore,

që e panë me sytë e tyre kush ishte agresori dhe kush ishte viktima.

Siç e tha Gjergj Kastrioti pesë shekuj më parë:
“Liria nuk jepet, merret!”
Dhe UÇK-ja e mori, me gjak, me sakrificë, me qëndresë titanike.

Me shqetësim dhe zemërim të arsyeshëm, shohim devijime të rënda në proceset e Hagës:
1. Akuzime selektive dhe të fabrikuara, me dëshmi të nxjerra nga laboratori i propagandës serbe.
2. Proceset e stërzgjatura, që synojnë të lodhin shpirtin dhe të ulin dinjitetin e luftëtarit të lirisë.
3. Dëshmitarë të komprometuar, të një sistemi që ka shpikur dosje, ka manipuluar fakte dhe ka ndërtuar gënjeshtra për dekada.
4. Heshtje për krimet serbe, sikur viktima duhet të kërkojë leje për të treguar dhimbjen e saj.

Kjo nuk është drejtësi.
Kjo është padrejtësi e veshur me rroba gjykate.

Nuk ka fuqi që fshin dhimbjen e Reçakut.
Nuk ka gënjeshtër që mbulon Krushën.
Nuk ka propagandë që shlyen Mejën, Izbicën, Poklekun, Studimen…
• 8,000 të vrarë,
• 1 milion të dëbuar,
• qindra gra të dhunuara,
• qindra fshatra të djegur,
• mijëra të zhdukur që ende nuk janë gjetur.

Kombet e mëdha kanë thënë:
“E vërteta vonon, por nuk humb.”
Dhe e vërteta e ushtrisë sonë çlirimtare nuk humbet.

Organizatat shqiptare nga:
• Nju Jorku,
• Miçigeni,
• Kalifornia,
• Kanadaja,
• dhe qindra të tjera në Evropë, SHBA e Australi,

qëndrojnë krah për krah me këtë protestë.
Diaspora jonë është zemra e kombit në botë, dhe sot zemra rreh fort për drejtësi.

Ne do të kërkojnë me vendosmëri:
• nga Senati i SHBA-së,
• nga Kongresi Amerikan,
• nga Shtëpia e Bardhë,

që të garantohet drejtësi e pastër, pa influenca politike, pa ndërhyrje nga Beogradi dhe bota e errët që e sponsorizon atë.

Ne theksojmë me përgjegjësi të plotë:
Është tërësisht i papranueshëm që Kryeministri Hristijan Mickoski dhe partitë shqiptare pjesë e qeverisë të deklarojnë haptas se nuk do ta mbështesin këtë protestë që i kundervihet padrejtësisë që po ndodh në Hagë.

Kjo nuk është neutralitet.
Kjo nuk është politikë.
Kjo është ndërgjegje morale dhe mungesë respekti ndaj historisë sonë.

Siç do të thoshte Hasan Prishtina:
“Mosdija falet, tradhtia jo.”

Kur një qeveri nuk mbështet kërkesën për drejtësi kundër gjenocidit, ajo bie ndesh me popullin që pretendon ta përfaqësojë.

Drejtësia nuk duhet të jetë viktimë e gjeopolitikës.
Nuk duhet të blihet me para të pista.
Nuk duhet të përdhoset nga propaganda serbo-ruse.
Këtyre përpjekjeve, kombi shqiptar u përgjigjet me një fjalë të vetme:

JO.

Populli shqiptar ka qenë viktimë, jo agresor.
UÇK-ja ka qenë mburoja e lirisë, jo burimi i krimit.
Historia nuk mund të rishkruhet sipas oreksit të atyre që shkaktuan tragjedi.

Kërkojmë një drejtësi:
• të paanshme,
• të pastër,
• të pandikuar,
• të mbështetur në prova dhe në të vërtetë.
Mbyllja e syve për njërën palë, rrezikon stabilitetin e gjithë Ballkanit, e jo vetëm një çeshtjeje gjyqesore.

Ne do të qëndrojmë të bashkuar, siç thoshte At Gjergj Fishta:
“Shqiptarët kanë veç një besë.”

Dhe besa jonë është kjo:
Deri në fund, deri në drejtësi, deri në mbrojtjen e UÇK-së dhe të gjithë atyre që na sollën lirinë.

Shoqatat shqiptare në SHBA dhe Kanada mbështesin fuqishëm protestën për drejtësi për çlirimtarët tanë dhe për luftën e drejtë të UÇK-së, e cila organizohet në Shkup