Mickoski: Si Qeveri po bëjmë diçka që deri tani askush nuk e ka bërë për të rinjtë në Maqedoni

“Kjo ishte masë jashtëzakonisht e suksesshme, të paktën deri tani dhe shpresoj që kështu të mbetet edhe në periudhën në vijim. Vetëpunësimi është një masë shumë e rëndësishme dhe në Buxhet janë ndarë mjete në vlerë rreth 2.5 miliardë denarë, ose rreth 40 milionë euro, që është për 7.5 milionë euro më shumë se vitin e kaluar. Kjo është mbështetja historikisht më e lartë që ka ndodhur deri tani,” tha Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në seancën e sotme për pyetje të deputetëve.

Kryeministri Mickoski theksoi se Plani Operativ për vetëpunësim është dëshmi se shteti po investon tek të rinjtë.

Me këtë plan, në vitin 2025 do të përfshihen mbi 16.500 persona. Gjë që mendoj se është përfshirja më e madhe deri tani dhe një dëshmi e qartë se shteti praktikisht po investon te njerëzit, e veçanërisht te të rinjtë,” tha Mickoski dhe shtoi:

“Deri para një jave janë lëshuar gjithsej 2.916 vauçerë për përgatitjen e planeve të biznesit dhe një pjesë të tyre i kemi promovuar në Qeveri. Janë vlerësuar 2.681, prej të cilave 1.140 janë për të rinj deri në 29 vjeç, 912 për persona mbi 29 vjeç, ndërsa 629 për subjekte juridike të regjistruara si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar. Për momentin më shumë se 2.500 persona janë në proces të nënshkrimit të kontratave. Mbështetja financiare është rritur ndjeshëm: 7.000 euro për personat mbi 29 vjeç ose 14.000 euro nëse bashkohen në SHPK, dhe 10.000 euro për të rinjtë deri në 29 vjeç ose 20.000 euro nëse bashkohen në SHPK,” theksoi Mickoski, duke shtuar se kjo është diçka që po ndodh për herë të parë në Maqedoni.

“Duhet të them se kjo i ka tejkaluar edhe pritjet tona dhe në vitet në vijim pres që mbështetja që është pjesë e këtij Plani Operativ për vetëpunësim vetëm të rritet, sepse nëse me 40 milionë euro arritëm të motivojmë mbi 16.500 persona, kjo është një shifër serioze dhe jam i bindur se nga këto biznese do të dalin shumë start-up-e që më pas do të sjellin vlerë të shtuar në ekonominë maqedonase,” u theksoi Mickoski.

“Nuk ka pasur një mbështetje të tillë për të rinjtë. Në përgjithësi flas për rikonstruktimin e konvikteve studentore, vauçerët për studentët për pajisje elektronike dhe kur të gjitha këto merren parasysh, vlerësoj se si Qeveri po bëjmë diçka që deri tani askush nuk e ka bërë në Maqedoninë e pavarur për të rinjtë,” përfundoi Mickoski.