A është Karmë politike fakti që Kryeministri i jep VLEN-it “Ministrinë për Diçka”, ndërsa partia e tij vetë udhëheq me “Ministritë për Gjithçka”?





Nafie Selmani

Rikujtojmë se VLEN-i u votua me shpresën për NDRYSHIM. Qytetarët u mashtruan se do të vinte një frymë e re, një mënyrë e re qeverisjeje, një zë që do t’i mbronte dhe do t’i vinte interesat e tyre përpara çdo pazari politik.
Por çfarë fituan ata realisht? Asgjë. Madje, fituan diçka edhe më keq, humbjen e SHPRESËS për Ndryshimin. Dhe kjo është humbja më e rëndë në politikë, sepse kur shpresa shuhet, secila premtim vdes bashkë me të.
Sot, Kryeministri në çdo mundësi tallet me VLEN-in, dhe në një kuptim të hidhur, mirë ua bën! Sepse ai ka kuptuar diçka që qytetarët fatkeqësisht e mësuan shumë vonë. VLEN-i ka vetëm një prioritet të vërtetë, PUSHTETIN. Pushtetin që u sjell privilegje, para, poste të rehatshme, favore për rrethin dhe familjet e tyre, por edhe për jaranat dhe jaraneshat e tyre.
Dhe ja ironia më e madhe politike, atë që VLEN-i ua bëri qytetarëve duke i tradhtuar, sot Kryeministri ua bën pikërisht VLEN-it. I nënçmon, i minimizon, i shpërfill… ashtu siç ata nënçmuan dhe shpërfillën besimin e njerëzve.
Në fund, kjo nuk është vetëm farsë politike, është pasqyra ku VLEN-i po sheh veten, ata premtuan Ndryshim, por u bënë pjesë e sistemit që sot i poshtëron pa mëshirë.
Në politikë, karma ka vetëm një rregull, ajo kthehet gjithmonë te ai që harroi kujt i detyrohet.