Vuçiq: Edhe katër ditë deri në ndërprerjen e punës në rafinerinë e NIS-it

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 25 nëntor se Serbia ka edhe katër ditë deri në ndalimin e plotë të punës së rafinerisë nëse Shtetet e Bashkuara nuk e aprovojnë licencën e punës për Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS).

“Rafineria e NIS-it po funksionon, ende nuk është fikur”, tha Vuçiq.

Më 18 nëntor, NIS-i kërkoi nga SHBA-ja një licencë të posaçme për të vazhduar punën gjatë kohës sa zgjasin negociatat mes aksionarëve dhe palëve të interesuara për ndryshimin e strukturës së pronësisë të kompanisë.

Vuçiq tha se pritej që Serbia ta merrte këtë licencë, “por ka edhe gjëra të tjera që ata [SHBA] duhet t’i dëgjojnë dhe t’i shohin” që të miratojnë licencën.

Ai tha se në rast të ndërprerjes të punës së rafinerisë duhen 20 ditë për ta vënë atë sërish në funksion.

“Kemi bërë gjithçka që na kanë thënë miqtë rusë dhe jemi dërguar në një situatë shumë të vështirë”, tha Vuçiq.

“Na kanë mbetur edhe sot e nesër për të marrë licencën”, shtoi ai.

Presidenti serb tha se ka pasur zëra në Qeveri se duhet të bëhet nacionalizimi i NIS-it, por propozimi i tij, i cili është miratuar, ishte që të jepen edhe 50 ditë kohë për të gjetur një blerës të ri për NIS-in.

Ai tha se me ndërprerjen e punës së rafinerisë do të “vihej në rrezik funksionimi i sistemit shëndetësor, ndihmës së shpejtë”, si dhe furnizimi i zinxhirëve tregtarë dhe funksionimi i sistemit të transportit.

Vuçiq tha gjithashtu se Banka Popullore e Serbisë ka marrë paralajmërime, ashtu si edhe bankat komerciale në Serbi, për sanksione dytësore për shkak të bashkëpunimit me NIS-in.

“Po i vëmë në rrezik edhe bankat komerciale edhe Bankën Popullore. Unë personalisht kam marr garanci verbale nga amerikanët se nuk do të ketë sanksione të tilla për bankat”, tha ai.

Vuçiq kishte deklaruar më herët gjatë nëntorit se pronarët rusë po negociojnë për shitjen e aksioneve të tyre në NIS me tre partnerë, por nuk kishte treguar se për kë bëhej fjalë.

Sanksionet amerikane ndaj NIS-it hynë në fuqi më 9 tetor, si përpjekje e administratës amerikane për t’i pamundësuar Rusisë që të përdorë të ardhurat nga energjia për luftën në Ukrainë. Këto sanksione më parë ishin shtyrë tetë herë.

Shteti i Serbisë në vitin 2008 ia shiti 51 për qind të aksioneve të NIS-it kompanisë shtetërore ruse Gazprom Neft për 400 milionë euro, pa tender.

Ndërkohë, struktura pronësore e NIS-it është ndryshuar disa herë, por ajo vazhdon të jetë shumicë në duart e kompanive ruse, ndërsa Serbia ka 29.87 për qind të aksioneve.

NIS është e vetmja kompani në Serbi që merret me kërkimin, prodhimin dhe përpunimin e naftës, si dhe prodhimin e gazit natyror.

Serbia është i vetmi vend në Evropë, së bashku me Bjellorusinë, që nuk i është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës fqinje./REL