Tërhiqet Turkish Airlines/ Kompania turke nxjerr në shitje 49% të aksioneve





Kompania Turkish Airlines ka vendosur të shesë të gjitha aksionet që zotëron në kompaninë shqiptare të fluturimeve Air Albania. Bordi i Turkish Airlines njoftoi nëpërmjet një shpalljeje të shkurtër se do t’i shiste aksionet e tij në Air Albania SHPK, ku zotëron 49% të totalit të aksioneve duke shtuar se çdo zhvillim i lidhur me këtë vendim do të ndahej me investitorët.

Pas këtij vendimi pritet të marë fund partneriteti i nisur në vitin 2018 me mbështetje të fortë politike si nga Ankaraja ashtu edhe nga Tirana. Aksionarët e mbetur, MDN Investment dhe Albcontrol, tani përballen me detyrën e sigurimit të një investitori të ri, ndërsa Air Albania vazhdon të operojë një flotë minimale. Kompania ajrore aktualisht mbështetet në një A320 të vetëm të marrë me qira nga Fly2Sky.

Dalja e Turkish Airlines nga ky partneritet vjen menjëherë pasi ajo ra dakord të blinte deri në 27 përqind të Air Europa, një veprim që synon zgjerimin e shtrirjes së saj globale dhe hapjen e tregjeve të reja të turizmit dhe ngarkesave midis Turqisë dhe Amerikës Latine. Ndryshimi sugjeron një strategji të fokusuar në mundësi më të mëdha dhe më konkurruese për të forcuar pozicionin e saj strategjik në industrinë globale të aviacionit dhe për të rritur numrin e turistëve që vizitojnë Turqinë.

Kompania ajrore Air Albania u themelua në vitin 2018, me investitorë Turkish Airlines, MDN Investments dhe Albcontrol. Turkish Airlines zotëron 49% të aksioneve, MDN Investments 41% dhe Albcontrol 10%.

Një tjetër arsye e shitjes së aksioneve që kompania turke ka në Air Albania mendohet se është edhe gjendja financiare pasi fitimet kanë rezultuar më të vogla sesa shpenzzimet gjatë vitit 2025.