Edicioni i lajmeve në RTK transmetohet vetëm me pamje dhe titra: Greva është zëri ynë





Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë zhvilluar sot një grevë të përgjithshme dyorëshe, nga ora 11:00 deri në 13:00, si shenjë pakënaqësie ndaj gjendjes së rënduar financiare në institucion.

Protesta u reflektua edhe në edicionin qendror të lajmeve, i cili nisi ndryshe nga çdo ditë. Në studion e lajmeve, pas prezantueses u shfaqën punëtorët e grumbulluar me pankarta në duar me mbishkrime si: “Pa paga, s’ka punë”, “Greva është zëri ynë” dhe slogane të tjera që kërkonin zgjidhje të menjëhershme për problemet financiare.

Ndryshe nga zakonisht, prezantuesja nuk shqiptoi asnjë fjalë gjatë edicionit. I gjithë transmetimi kaloi vetëm me pamje ilustruese dhe titra informuese, për të theksuar formën e protestës dhe për të tërhequr vëmendjen e publikut dhe të institucioneve përgjegjëse.