E akuzuan se ishte pjesë e snajperistave në luftën e Bosnjes, reagon Vuçiç

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka hedhur poshtë akuzat që e lidhin me të ashtuquajturat “safari snajperësh” gjatë rrethimit të Sarajevës në vitet 1990, duke i cilësuar ato si gënjeshtra që synojnë ta paraqesin si një “vrasës gjakftohtë”.

Vuçiç reagoi ndaj pretendimeve për një video të vitit 1993, ku thuhet se ai shfaqej duke mbajtur një pushkë snajperi pranë personave të armatosur në varreza. “Nuk kam mbajtur kurrë një pushkë snajperi në jetën time. As armën për të cilën flisni, sepse ajo ishte një stativ kamere. Nuk kam vrarë askënd, nuk kam plagosur askënd dhe nuk kam bërë asgjë të ngjashme,” deklaroi Vuçiç gjatë një konference ekonomike rajonale Britani e Madh Ballkani Perëndimor, në Beograd.

Gazetari investigativ kroat, Domagoj Margetiç, njoftoi të martën se kishte dorëzuar një kallëzim në Prokurorinë e Milanos, duke pretenduar se Vuçiç ka marrë pjesë ose ka ndihmuar në organizimin e “turizmit të snajperëve”, ku të huajt paguanin forcat boshnjake serbe për të qëlluar mbi civilët nga pozicione të ngritura.

Në kallëzim përfshihen një video e vitit 1993, intervista të supozuara të kohës së luftës dhe dëshmi të zyrtarëve boshnjakë, që sipas gazetarit, tregojnë se Vuçiç ishte vullnetar në Sarajevë gjatë viteve 1992–1993 dhe pjesëtar i Njësitit Çetnik të Sarajevës së Re brenda Ushtrisë së Republikës Serpska. Ai pretendon gjithashtu se Vuçiç ka kaluar disa muaj në vijën e frontit, në varrezat hebraike të Sarajevës.

Akuzat vijnë në një kohë kur prokurorët në Milano hapën javën e kaluar një hetim për shtetas italianë të mundshëm pjesëmarrës në “safari snajperësh”, duke hetuar akuza për vrasje të rënduar.