Në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian U19, përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut ka bërë një paraqitje tejet dinjitoze, pavarësisht se ndodhet në një nga grupet më të forta të këtij edicioni — atë që shumëkush e quan me të drejtë “grupi i vdekjes” informon Tetovasot.
Të përzgjedhurit e seleksionuesit Erhan Selimi kanë zhvilluar tre ndeshje të nivelit të lartë, duke treguar lojë moderne, organizim të shkëlqyeshëm dhe personalitet të madh në fushë, cilësi që rrallëherë shihen në këto grupmosha. Në sfidën finale të këtij raundi, e cila u zhvillua në Portugali, U19 e vendit arriti një fitore të rëndësishme ndaj Estonisë, duke mposhtur kundërshtarin me lojë të disiplinuar dhe plot vendosmëri.
Kjo ndeshje erdhi pas dy përballjeve shumë të forta kundër ekipeve me traditë në futbollin e të rinjve, por ekipi i Selimit nuk u dorëzua asnjë moment. Përkundrazi, ata treguan se mund të rivalizojnë me cilindo kundërshtar, duke luajtur me zemër dhe me synimin për të shkuar sa më larg në këtë cikël kualifikues.
Seleksionuesi Erhan Selimi vlerësoi lart performancën e djemve të tij, duke theksuar:
“E dimë sa i fortë është ky grup, por djemtë treguan karakter të jashtëzakonshëm. Fitimi i pikëve në një grup të tillë është sukses i madh. Jam shumë krenar për mënyrën si reaguan në çdo ndeshje. Fitorja ndaj Estonisë dëshmon se ky grup ka potencial të jashtëzakonshëm dhe një të ardhme premtuese.”
Falë këtij triumfi, Maqedonia e Veriut U19 mban ende të hapura opsionet për vazhdimin e garave në fazën e radhës. Performanca në këto ndeshje konfirmon se puna me gjeneratat e reja po jep fryt dhe se futbolli i të rinjve në vend është në ngritje.
Ekipi i Selimit tashmë pret me motiv të shtuar sfidat e ardhshme, duke synuar të përfaqësojë vendin denjësisht në arenën evropiane.Tetovasot
