Kosova mbyll fushatën kualifikuese të Botërorit me ndeshjen ndaj Zvicrës në Fadil Vokrri të Prishtinës. Dardanët kanë prerë biletën për në playoff ndërsa helvetët janë praktikisht të kualifikuar direkt në Botërorin e SHBA, Meksikës dhe Kanadasë.
Vetëm nëse Kosova bën një mrekulli dhe fiton me një diferencë prej 6 apo më shumë golash do të shkojë ajo direkt në kompeticion.
Sfida e kësaj të marte, do të jetë e pesta që do të luhet mes Kosovës dhe Zvicrës. Deri tani bilanci flet për një fitore të Zvicrës dhe 3 barazime. Sfida e parë e zhvilluar mes Kosovës dhe Zvicrës është një ndeshje miqësore e luajtur në 29 mars në Zyrih dhe që u mbyll me barazimin 1-1 ku për Dardanët shënoi Milot Rashica
Më pas skuadrat janë përballur në kualifikueset për Euro 2024; e para në 9 shtator 2023 e mbyllur 2-2 ku ishte Vedat Muriqi që shënoi dy gola. Ndërsa sfida tjetër u luajt në 18 nëntor 2023 e përfunduar 1-1 ku për Kosovën golin e shënoi Muhamet Hyseni
Ndeshja e fundit mes Zvicrës dhe Kosovës është ajo që hapi këto kualifikuese të Botërorit 2026, në 5 shtatori 2025 me skuadrën helvete që mori një fitore të thellë ndaj Dardanëve me rezultatin 4-0. Këtë të martë në 20:45 në ‘Fadil Vokrri’ të Prishtinës do të luhet përballja e pestë mes Kosovës dhe Zvicrës, me skuadrën e Fodës që do të kërkojë fitoren e parë ndaj zviceranëve, një ndeshje kjo që do të transmetohet në platformën Digitalb.