Digjet autobusi në rrugën nga Meka në Medinë, vdesin 45 persona që kishin shkuar për të bërë Umra-n

Dyzet e pesë pelegrinë indianë kanë vdekur pasi autobusi në të cilin udhëtonin u përfshi nga zjarri në një aksident pranë Medinës në Arabinë Saudite, ka njoftuar komisioneri i policisë së qytetit të Hyderabadi, Indi.

Autobusi kishte 46 pasagjerë, tha VC Sajjanar në një konferencë për media, duke shtuar se një burrë që mbijetoi aksidentin ishte shtruar në një njësi intensive në një spital lokal.

Shumica e viktimave janë nga Hyderabad, që ndodhet në shtetin jugor të Telangana.

Pelegrinët po udhëtonin nga qyteti i shenjtë islamik Mekka drejt Medinës kur ndodhi aksidenti, njoftoi qeveria e Telangana-s në një deklaratë.

Ata kishin shkuar në Arabinë Saudite për pelegrinazhin Umrah, që është një version më i shkurtër i Haxhit, pelegrinazhit më të madh islamik.

Z. Sajjanar tha se një kamion cisternë nafte ishte i përfshirë në aksident, por nuk dha më shumë detaje.

Kryeministri indian Narendra Modi tha në një postim në X se ishte “thellësisht i trishtuar” nga lajmi për aksidentin dhe se autoritetet indiane ishin në kontakt të ngushtë me zyrtarët në Arabinë Saudite.

“Ambasada jonë në Riad dhe Konsullata në Xheddah po ofrojnë çdo ndihmë të mundshme,” shkroi ai.

Janë ngritur dhoma kontrolli në Xheddah dhe Hyderabad për të ndihmuar familjet e viktimave.

Asaduddin Owaisi, i cili përfaqëson Hyderabadin në parlamentin e Indisë, i tha agjencisë së lajmeve ANI se kishte kërkuar nga qeveria federale ndihmë për të sjellë trupat e viktimave në Indi.

Z. Sajjanar tha se 54 persona kishin udhëtuar nga Hyderabad për në Xheddah më 9 nëntor për pelegrinazh. Nga këta, katër persona qëndruan në Mekka, ndërsa katër të tjerë shkuan në Medinë me makinë. 46 të tjerët udhëtuan me autobus.

Ndërsa u përhap lajmi për tragjedinë, të afërmit e trishtuar kanë folur me median.

Mohammed Tehseen, banor i Hyderabadit, i tha ANI se shtatë të afërmit e tij ishin në autobus. Z. Tehseen tha se kishte marrë lajmin pasi mori një thirrje nga i afërmi i tij, Shoaib, i cili mbijetoi aksidentin dhe ndodhet në spital./BBC/