Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Bruksel një konferencë për shtyp së bashku me Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin në Bashkimin Europian, dhe Marie Bjerre, Ministre e Punëve të Jashtme të Danimarkës, vend që mban aktualisht Presidencën e Këshillit të BE-së.
Ministrja daneze Marie Bjerre vlerësoi angazhimin e qeverisë shqiptare në procesin e reformave, duke e cilësuar atë mbresëlënës. Ajo theksoi se raporti i fundit i zgjerimit tregon se Shqipëria po avancon në mënyrë të qëndrueshme, sidomos në reformën në drejtësi dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Angazhimi ndaj reformave dëshmuar nga qeveria shqiptare, është mbresëlënëse. Reporti i zgjerimit nga komisioni tregon se Shqipëria vazhdon të ecë përpara, lidhur me reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Hapi tjetër është përmbushja e piketave të ndërmjetme në kuadër të themeloreve, ky hap do përgatitë terrenin për të hapur dhe mbyllur kapitujt negociues. Zgjerimi është përparësi. Shqipëria duhet të ruajë këtë grup reformash”, theksoi ministrja Bjerre.
Sipas saj, nëse Shqipëria ruan këtë ritëm dhe cilësinë e reformave të deritanishme, anëtarësimi në BE do të arrihet në një të ardhme të afërt.
“Sot ne po japim një tjetër rezultat. Nëse Shqipëria vazhdon më këtë fokus dhe cilësi që kemi parë deri tani, jam e sigurt që anëtarësimi do arrihet në një të ardhme të afërt. Shqipëria i përket familjes evropiane.
Falënderoj kryeministrin Edi Rama për bashkëpunimin. Është mbresëlënëse sa shpejt po jepni rezultat”, tha ajo.