Të premten në Kosovë janë regjistruar pesë raste të dhunës në familje, sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Në Istog, dy të dyshuar kanë sulmuar fizikisht një grua dhe më pas e kanë pranuar veprën.
“Janë arrestuar dy të dyshuar femër dhe mashkull, pasi ata kanë sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Të dyshuarit kanë pranuar veprën e kryer dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në Raportin e Policisë së Kosovës”.
Ndërkaq, në Dreans, djali dyshohet se ka sulmuar prindërit dhe i ka larguar nga shtëpia.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht prindërit e tij të cilët edhe i ka larguar nga shtëpia. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.
Në Ferizaj, një grua ka raportuar për presion psikik nga bashkëshorti i saj të cilit i është konfiskuar arma e zjarrit.
“Është raportuar se viktima femër kosovare, ka presion psikik nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Gjatë intervistimit, i dyshuari ka pranuar se posedon armë zjarri. Arma me katër karikatorë, 235 fishekë dhe leja për posedim janë konfiskuar. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”.
E në Gjakovë një person është arrestuar nën dyshimin se ka rrahur motrën e tij.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi ai ka sulmuar fizikisht motrën e tij. Viktima ka marrë tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”.
Ndërsa në Rahovec një person ka rrahur edhe gruan edhe të bijën.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi ai ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij. Me vendim të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa është dërguar në spitalin psikiatrik të Gjakovës”.