Kallxo.com ka siguruar dosjen për Astrit Isufin, të dyshuarin për vrasjen e dy vëllezërve në fshatin Gollubovc të Malishevës.
Duke përshkruar veprat recidiviste në dosjen e tij, në një pjesë të dosjes thuhet se i dyshuari e kishte rrahur gruan në ditën e festës së Bajramit dhe kjo përshkruhet – siç e transmeton pjesën e dosjes Kallxo.com, si më poshtë:
Më 30 mars 2025, Astrit Isufi sipas dosjes së gjykatës rreth orës 06:00 të mëngjesit përderisa gruaja e tij e kishte përgatitur drekën e festës së Brajramit, i pandehuri ishte zgjuar nga gjumi e kishte thirrë gruan e tij dhe e kishte goditur me peshqir në trup duke i kërkuar të njëjtës që t’i zgjoj fëmijët nga gjumi.
Gruaja kishte shkuar të fëmijët por ata nuk ishin zgjuar e ishte kthyer sërish te Astrit Isufi për t’i treguar. Dosja që ka siguruar KALLXO.com tregon se Astrit Isufi ishte nervozuar e më pas kishte nisur ta sulmoj gruan e tij me shuplakë e grushte në fytyrë e trup.
Disa orë më vonë, kur Astrit Isufi ishte kthyer në shtëpi pasi kishte shkuar të përshëndes familjarët për festën e Bajramit, kishte kërkuar ushqim nga gruaja e tij dhe kjo e fundit i kishte thënë se mungonte një produkt ushqimor e kjo më pas sërish kishte qenë një sherr i cili shkaktoi dhunën fizike të dytë brenda ditës nga Astrit Isufi te bashkëshortja e tij.
Dosja shpjegon se kur kishte marrë vesh Astriti se mungon një produkt, i kishte marrë pjatat e ushqimit dhe i kishte gjuajtur në tokë e më pas e kishte kap gruan e tij për dore e kishte tërhequr zvarrë e kishte futur brenda dhomës dhe kishte nisur ta qëlloj me një kabllo të rrymës në pjesë të ndryshme të trupit.
Në ato momente vajza e tyre kishte hyrë brenda dhomës dhe i kishte kërkuar babait të saj të ndaloj sepse ‘po e mbyste nënën’.
Ani pse kishte kërkesë nga vajza, dosja shpjegon se Astrit Isufi nuk kishte ndaluar deri sa i është dukur mjaftueshëm se e ka rrahur të dëmtuarën në këtë rast gruaja e tij dhe më pas e kishte larguar nga shtëpia.
Në po të njëjtën ditë, Astrit Isufi sipas dosjes që ka siguruar KALLXO.com e kishte kërcënuar gruan e tij dhe e kishte paralajmëruar se nëse ndahet nga ai do t’ia vrasë gjithë familjen.
Ti nuk guxon me u nda me mua, se ka me ta vra familjen, ka me t`i faru krejt”- përshkruhet kërcënimi që i kishte bërë Astrit Isufi, gruas së tij më 30 mars 2025.
Kjo situatë të njëjtës i kishte shkaktuar ankth, frikë dhe pasiguri për jetë.
Më krejt këto veprime që Astrit Isufi kishte kryer ndaj gruas së tij, Gjykata në Prishtinë- Dega në Drenas, kishte dënuar të njëjtin me burg në kohëzgjatje me 154 ditë dhe 300 euro gjobë për dhunë në familje ndërsa për kanosje ishte gjobitur me 500 euro.