Lëvizja Vetëvendosje do të tentojë për herë të dytë që të formojë qeverinë, ndonëse nuk ka vota të siguruara. Të martën, kjo parti ka propozuar për kryeministër nënkryetarin e saj, Glauk Konjufca. E pak orë më vonë, ky propozim është pranuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila e ka mandatuar atë për formim të Qeverisë. Konjufca ka kërkuar mbështetjen e opozitës, por ka përjashtuar mundësinë që të bëjë koalicion me të. Ai ka thënë se synon qeveri për të shmangur zgjedhje në dhjetor dhe miratimin e buxhetit 2026. E partitë opozitare janë shprehur kundër që VV-së t’i jepet mundësia e dytë për formim të Qeverisë
Presidentja Vjosa Osmani ka mandatuar për kryeministër, nënkryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, të martën.
Konjufca është kandidati i dytë i Lëvizjes Vetëvendosje që Osmani e ka mandatuar për postin e kreut të ekzekutivit. Më 26 tetor, i mandatuari i parë, Albin Kurti, që është edhe kryetar i Vetëvendosjes, nuk arriti të marrë votat e nevojshme në Kuvend.
Presidentja Osmani ka thënë se mandatimi i të propozuarit të dytë nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, është obligim me të cilin e ngarkon Kushtetuta.
Sipas saj, edhe në takimin e zhvilluar në fund të muajit tetor, por edhe në takimet që ka zhvilluar me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, e atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, është bërë e qartë se përveç Lëvizjes Vetëvendosje, partitë e tjera nuk do të dalin me emër për mandatar.
“Neni 95, paragrafi 4 i Kushtetutës të Kosovës përcakton qartë se brenda 10 ditësh presidentja e Republikës emëron kandidatin tjetër, sipas së njëjtës procedurë. Pra, Kushtetuta nuk thotë se presidentja mund të emërojë, por thotë emëron kandidatin tjetër në rast se dështon i pari. Kushtetuta nuk i lë hapësirë dhe as diskrecion kreut të shtetit për mosemërim të kandidatit të dytë atëherë kur ka një propozim të tillë. Përkundrazi gjuha e përdorur në Kushtetutë është obligative, pra e detyron presidenten e vendit që ta emërojë kandidatin e dytë”, ka thënë ajo.
Duke folur në lidhje me kriteret që ka marrë për bazë kur ka mandatuar Konjufcën për kryeministër, Osmani ka përmendur interesin e qytetarëve dhe funksionalizimin e institucioneve të Kosovës.
“Qytetarët kanë humbur mjaftueshëm nga moskrijimi i institucioneve, dhe përtej paragjykimeve politike si presidente kam konstatuar se verdiktin final në qoftë se i mandatuari për kryeministër i ka votat për shumicë apo jo e japin 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës. Mendoj që është interes i përgjithshëm i Republikës së Kosovës dhe i qytetarëve që të kemi institucione dhe të bëjmë çdo përpjekje të mundshme që ato të krijohen në mënyrë që së paku të miratojnë vendime të rëndësishme në interes të qytetarëve”, ka thënë ajo.
Në mesin e vendimeve që i ka konsideruar të rëndësishme për t’u miratuar, kryetarja e shtetit ka përmendur zgjatjen buxhetore apo edhe buxhetin në tërësi dhe Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian.“Ndër qëllimet kryesore ka qenë që të kemi mundësi të miratojmë zgjatjen buxhetore ose edhe buxhetin në tërësi nëse do të kishte dakordim mes partive politike dhe mbi të gjitha ta miratojmë Planin e Rritjes, nga i cili Kosova përfiton mbi 800 milionë euro, është edhe marrëveshja me Bankën Botërore me rreth 100 milionë euro. Po flasim për rreth gati 1 miliard euro për Republikën e Kosovës, të cilat nuk guxojmë t`i humbasim”, ka deklaruar Osmani.
Në mungesë të institucioneve e mosmarrjen e vendimeve që ka përmendur, sipas saj, rrezikohet funksionalizimi i shtetit.
VV-ja me Konjufcën kryeministër synon qeveri afatshkurtër
Që Glauk Konjufca të jetë i propozuari i dytë për mandatar për kryeministër ka vendosur Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, në mbledhjen e mbajtur në mesditën e së martës.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se propozimi i Konjufcës për kryeministër është bërë në funksion të shmangies së mbajtjes së dy palë zgjedhjeve brenda pak muajsh.
“Le të vazhdojmë me kabinetin e njëjtë që kam propozuar: unë marr vendin e Glaukut e Glauku timin siç edhe jemi dakorduar mbrëmë në kryesi bashkë. Le të votohet më pas buxheti i shtetit dhe buxhetet komunale, le të votohet plani i rritjes së Bashkimit Evropian për fonde të vlefshme, le të bëhen disa punë të domosdoshme e pastaj shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Këshillit të VV-së.
Kryeministri në detyrë iu ka bërë thirrje partive deri tash në opozitë që për kryeministër të votojnë Glauk Konjufcën.
“Ne si LVV jemi gati për zgjedhje edhe sot, jemi gati edhe në dhjetor, në muajin e ardhshëm jemi edhe më shumë gati në prill në vitin e ardhshëm, por po e japim këtë mundësi si zgjidhje për këtë bllokim të kot të shkaktuar nga kokëfortësia e inati nga kalkulimet e gabuara bllokim që po bëhet i dëmshëm jo për LVV, por për Kosovën. Opozitarëve iu themi, ju lutem mos u betononi në pozitën e bllokuesit, ja ku e keni shansin, mos e lini që t’i ikë edhe ky shans Kosovës sonë të përbashkët”, ka thënë ai.
Sipas Kurtit, mbajtja eventuale e zgjedhjeve në dhjetor të këtij viti pa miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm rrezikon qëndrueshmërinë e shtetit dhe stabilitetin ekonomik.
“Janë, ju e dini, 85 mijë shërbyes publikë që marrin paga nga buxheti, janë 300 mijë pensionistë gjithsej që marrin pensione nga buxheti, janë 400 mijë fëmijë që marrin shtesa nga buxheti, janë dhjetëra mijëra fermerë e mijëra biznese që marrin subvencione nga shteti. Vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje pa buxhet të miratuar në Kuvend, aq më pak kur qysh në fillim të vitit të ardhshëm e kemi të pazgjidhur edhe çështjen e zgjedhjes, përkatësisht rizgjedhjes së presidentes”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shtuar se, pa buxhet të miratuar, nuk do të mund të mbaheshin as zgjedhjet. “Nëse kjo sfidë nuk arrihet të tejkalohet brenda afatit kushtetues, vendi duhet të shkojë përsëri në zgjedhje të reja. Por pa buxhet të miratuar nuk do të mund të mbaheshin as zgjedhjet, kësisoj vendi do të futej në një situatë të paprecedentë, nga se cila askush nuk e di se di duhet të dilet”.
Konjufca do votat e opozitës për kryeministër, por jo koalicion me të
E me propozimin e tij për kryeministër, sipas Glauk Konjufcës, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë kompromisin më të madh të mundshëm.
“Vetëvendosja po bën kompromisin e vet, më shumë se kaq nuk ka mundësi. Ne po propozojmë një qeveri ku nuk është kryeministër Albin Kurti dhe ky është një kompromis shumë i madh për LVV, tash e ka radhën opozita për kompromisin e vet”, ka deklaruar Konjufca, brenda mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së.
Në tentimin e parë, Kurti, si i mandatuar për kryeministër, mori 56 vota nga 61 sa më së paku i janë dashur për t`u votuar qeveria e re. Për sigurimin e votave të nevojshme, Konjufca nuk synon të bëjë koalicion me asnjërën prej partive në opozitë. Por, ai ka thënë se pret votat e tyre e bashkëpunim nga to për votimin e buxhetit të shtetit e atë të RTK-së.
“Unë mendoj se ky nuk do të jetë një proces në të cilin ne do të kërkojmë ndonjë marrëveshje koalicioni me partitë politike . Ideja është të krijojmë një qeveri të re për të shmangur dy gjëra shumë të rëndësishme. E para është zgjedhjet e menjëhershme dhe e dyta është që të provojmë të bashkëpunojmë me partitë politike parlamentare për të mundur që Kosova ta ketë buxhetin e saj për vitin 2026. Nëse këto nuk bëhen, më merr mendja që nuk do të ishte në të mirë të Kosovës”, ka thënë ai.
Konjufca ka shprehur besimin që partitë deri tash në opozitë “do të reflektojnë” dhe do të bashkëpunojnë me të që të shmangen zgjedhjet në dhjetor.
“Rrezikojmë ta humbim afatin (për planin e Rritjes), qindra miliona euro i pret Kosova. Edhe për këtë do t’ua kërkojë bashkëpunimin subjekteve opozitare, ama jo për qeveri kështu afatgjate me koalicione, vetëm thjesht t’i thirrin mendjes që këto gjëra të kalojnë e pastaj bëjmë bash çka të duan subjektet opozitare”, ka deklaruar Konjufca.
Pas mandatimit nga presidentja, ai ka në dispozicion 15 ditë që para Kuvendit të paraqesë programin e kabinetin e tij.
Opozita e deritashme s’ka votë për Konjufcën kryeministër
Por, nominimi i Glauk Konjufcës për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ndryshuar qëndrimin e partive shqiptare të përfaqësuara në Kuvend. Ato nuk kanë vota për kandidatin e ri të Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Glauk Konjufca.
Partia Demokratike e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media ka bërë të ditur se zgjidhje e vetme janë zgjedhjet.
“Realiteti politik është i qartë: askush nuk e ka shumicën për të formuar qeverinë nga kjo legjislaturë. PDK-ja konsideron se injorimi i këtij realiteti vetëm sa do ta thellonte krizën, do ta zgjaste pasigurinë institucionale dhe do ta dëmtonte më tej stabilitetin e vendit”, thuhet në komunikatë.
E sipas kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, veprimi i Lëvizjes Vetëvendosje është shfaqje teatrale, pasi nuk i ka votat e nevojshme.
“Tregojuni qytetarëve se secila parti shqiptare ka dhënë verdiktin politik, të deponuar tashmë në Presidencë. Ky verdikt është i qartë e i thjeshtë. Sot, matematikisht, me vullnetin e deklaruar politik, nuk ka mundësi për shumicë. Pse gjithë ky zell për lojëra pa dinjitet minimal politik? A nuk ju duken mjaft 8 muaj vonesë në shtetin më të varfër në kontinent për t’i dhënë vonesa shtesë. A është qëndrimi me çdo kusht në pushtet edhe pa legjitimitet vlerë e re politike e një gjenerate që duhet të sjellë shpresë? Këto zvarritje janë veç thellime të krizave, për të cilat do të mbahet përgjegjësi politike”, ka shkruar Abdixhiku.
Mandatimi i Konjufcës nga presidentja Vjosa Osmani, pa dëshminë se e ka shumicën e nevojshme, sipas kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, përbën shkelje kushtetuese.
“Kandidatura e dytë nga VV për qeveri është veç përpjekje për të vazhduar kapjen e institucioneve të shtetit, në kundërshtim me krejt normat kushtetuese e politike. Kjo farsë duhet të marrë fund menjëherë dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë Haradinaj.
Përkrahje për të propozuarin e Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka as Nisma Socialdemokrate.
“Sot është e qartë për të gjithë: Kuvendi i Kosovës nuk ka shumicë. Në takimin e fundit me presidenten e Republikës, të gjitha partitë politike e kanë shprehur qartë dhe zyrtarisht qëndrimin e tyre: në këtë Kuvend nuk ekziston shumicë parlamentare dhe zgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet e reja”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.
Konjufcën, si të nominuar për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje e mbështet grupi multietnik. Në emër të tij, deputeti Elbert Krasniqi, ka se thënë Kosovës i duhet sa më parë formimi i qeverisë, miratimi i buxhetit të vendit, ai i RTK-së dhe i tri komunave: Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin-Potokut.
“Si grup multietnik kemi mbështetur edhe kryeministrin Albin Kurti si mandatar, duke e pasur parasysh jo vetëm bashkëpunimin e kaluar, por edhe rezultatin zgjedhor, sikurse kemi po aq përvojë të mirë me ish-kryeparlamentarin Konjufca, të cilit i urojmë sukses”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Që Konjufca të zgjidhet kryeministër, ai duhet të votohet nga së paku 61 deputetë prej 120 sa ka Kuvendi i Kosovës. Nëse as i mandatuari i dytë nuk arrin që të sigurojë votat e nevojshme për të formuar Qeverinë, vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Sipas Kushtetutës, ato duhet që të mbahen brenda 40 ditësh, nga dështimi i të mandatuarit të dytë për kryeministër.
I mandatuari për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, në legjislaturën e kaluar ka qenë kryetar i Kuvendit.