Pesë vjet nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së

Më 4 dhe 5 nëntor u mbushën pesë vjet nga arrestimi i ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Speciale në Hagë. Ky proces gjyqësor nisi në prill të vitit 2023 dhe aktualisht po vazhdon dëshmia e dëshmitarëve të thirrur nga mbrojtja, ndërkohë që dëshmitarët e thirrur nga prokuroria përfunduan dëshminë e tyre në prill të këtij viti.

Organizatat që dalin nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë deklaruar se nuk do të dorëzohen përballë kësaj padrejtësie historike.

“Pesë vite padrejtësi, pesë vite që heronjtë e lirisë mbahen larg familjeve dhe vendit për të cilin luftuan. Ne nuk harrojmë dhe nuk dorëzohemi përballë kësaj padrejtësie historike”, thuhet në njoftimin e tyre.

Hashim Thaçi më 5 nëntor dorëzoi dorëheqjen nga posti i presidentit të Kosovës, pasi gjyqtari i procedurës paraprake pranë Dhomave të Specializuara e njoftoi se ka konfirmuar aktakuzën ndaj tij dhe tre ish-bashkëluftëtarëve të tij. Ai u deklarua i pafajshëm ndaj të gjitha akuzave që rëndojnë ndaj tij.

Ndaj Thaçit është ngritur edhe një aktakuzë e re për pengim të administratës së drejtësisë, dhe ai gjykohet së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin. Edhe për këtë aktakuzë, Thaçi është deklaruar i pafajshëm.

Ngjashëm si Thaçi, edhe ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, bëri të ditur më 5 nëntor të vitit 2020 se kishte bërë të gjitha aranzhimet e nevojshme për të udhëtuar vullnetarisht drejt Hagës, pasi ishte njoftuar për aktakuzën e konfirmuar ndaj tij nga Dhomat e Specializuara. Po ashtu, edhe Veseli u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Ndërkaq, ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, gjendet në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 4 nëntori i vitit 2020. Ai u paraqit para Dhomave të Specializuara më 9 nëntor dhe u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Edhe Rexhep Selimi, ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, më 4 nëntor njoftoi se kishte marrë konfirmim për aktakuzën dhe ishte nisur drejt Hagës. Ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Gjatë këtij viti janë mbajtur dy protesta në Prishtinë për lirimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët e kanë konsideruar këtë si “ proces të padrejtë”.

Kurse, para tri javësh, është protestuar edhe në sheshin “Skënderbeu” në Tiranë, dhe një protestë e ngjashme është paralajmëruar të mbahet edhe në Maqedoninë e Veriut. Në këto protesta kanë marrë pjesë mijëra qytetarë, të cilët kanë kërkuar lirimin e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

Po ashtu, mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është përballuar gjithashtu vështirësi të mëdha financiare dhe logjistike. Gjatë këtyre pesë vjetëve, një nga sfidat kryesore ka qenë buxheti i pamjaftueshëm për mbrojtjen e tyre.

Mirëpo, Ministria e Drejtësisë në Kosovë kishte njoftuar se, që nga fillimi i procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë, nga viti 2020 deri në korrik të këtij viti, janë paguar afërsisht 33 milionë euro.

Aktakuza ndaj ish-eprorëve të UÇK-së ishte ngritur më 26 tetor të vitit 2020. Ajo i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999.