Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Blerim Bexheti, ka reaguar ndaj publikimit të disa përgjimeve që janë shfaqur në opinion gjatë ditëve të fundit të fushatës zgjedhore, ku përmendet edhe emri i tij.
Në një intervistë për Alsat, Bexheti deklaroi se ndaj tij janë lëshuar përgjime me qëllim të qartë politik, për të devijuar vëmendjen nga zhvillimet në disa komuna shqiptare si Kërçova dhe Bërvenica.
“Për mua kanë lëshuar përgjime, dhe e gjithë kjo ka pasur një tendencë, si për mua ashtu edhe për kolegun tjetër, për të krijuar një defokusim nga ajo që ndodh në Kërçovë dhe Bërvenicë,” tha Bexheti, njofton TS.
Ai ka akuzuar gjithashtu Adnan Azizin, duke e quajtur figurë me lidhje të dyshimta politike.
“Një njeri si Adnan Azizi, që kokën dhe më shumë se kokën e ka në Beograd, del e kërkon distancim,” – deklaroi Bexheti.
Deputeti shtoi se ndjen nevojën të sqarojë opinionin publik mbi origjinën dhe identitetin e tij familjar, duke theksuar lidhjet e forta me Tetovën.
“Sa për informimin e opinionit publik, familja e nënës sime është e tëra nga Tetova,” – theksoi ai.
Deklarata e Bexhetit vjen pas disa ditësh tensioni politik, ku publikimi i përgjimeve është shoqëruar me akuza dhe kundërakuza ndërmjet figurave të ndryshme shqiptare në Maqedoninë e Veriut.