Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) shpreh shqetësim serioz për numrin në rritje të raportimeve nga kolegë gazetarë dhe media lidhur me sulme online dhe përhapjen e komenteve fyese, diskredituese dhe të papërshtatshme – përfshirë edhe nga funksionarë publikë dhe përfaqësues politikë – gjatë fushatës për zgjedhjet lokale.
Rasti i fundit është ai i kolegut Mefail Ismaili dhe portalit ORA24.TV, të cilët u bënë objekt i sulmeve të shumëfishta, kërcënimeve dhe një fushate të koordinuar negative në rrjetet sociale nga aktivistë partiakë, në lidhje me procesin zgjedhor në Strugë.
Në një nga komentet është vërejtur gjuhë eksplicite urrejtjeje, në nivel linçimi publik, pasi në një prej postimeve të ORA24.TV thuhej: “Ky njeri duhet të lidhet dhe të rrihet derisa të bjerë shi.” Në një koment tjetër shkruhej: “Ky i pashkollë duhet kapur dhe tërhequr zvarrë nëpër Veleshtë.”
Publikime dhe komente të tilla nuk janë vetëm të papërshtatshme, por krijojnë një ambient armiqësor që nuk u mundëson gazetarëve ta kryejnë punën e tyre lirshëm dhe në siguri. Një gjuhë e tillë urrejtjeje mund të nxisë edhe vepra penale të frymëzuara nga urrejtja. SHGM për këtë rast do ta njoftojë Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Këto përpjekje për diskreditimin e gazetarëve profesionistë janë një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së mediave dhe proceseve demokratike në vend.
SHGM rikujton se sulmet dhe presionet ndaj gazetarëve, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore, rrezikojnë të drejtën e publikut për të marrë informacione të sakta, të verifikuara dhe me kohë. Në vend që të nxisin transparencën, këto veprime krijojnë frikë dhe autocensurë te gazetarët – gjë e papranueshme në një shoqëri demokratike.
SHGM u bën apel të gjithë funksionarëve publikë, përfaqësuesve politikë, aktivistëve partiakë dhe pjesëmarrësve të tjerë në procesin zgjedhor që të përmbahen nga fyerjet, kërcënimet, deklaratat e papërshtatshme dhe përhapja e informacioneve të paverifikuara ndaj gazetarëve dhe mediave.
Gazetarët duhet ta kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale, pa frikë, presion apo pengesa, ndërsa institucionet kanë detyrim të sigurojnë kushte për sigurinë dhe pavarësinë e tyre.
SHGM do të vazhdojë t’i ndjekë me kujdes rastet e tilla dhe të ofrojë mbështetje ligjore dhe profesionale për të gjithë gazetarët që përballen me presione dhe sulme.
 
			 
				