Studentët e Fakultetit të Arteve të UT-së e vizituan ekspozitën e profesorit Miftar Memeti në Galerinë “Bezisten” në Shtip
Pas hapjes zyrtare të ekspozitës së profesorit dhe piktorit të njohur Miftar Memeti, studentët e
Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, drejtimi Art Figurativ, më 29 tetor 2025, realizuan
një vizitë studimore në ambientet e Galerisë së Arteve “Bezisten” në Shtip.
Në këtë vizitë ishte i pranishëm edhe vetë profesori Miftar Memeti, i cili zhvilloi një bashkëbisedim
të hapur me studentët, duke ndarë përvoja të vlefshme nga karriera e tij artistike dhe akademike. Ai
foli mbi procesin krijues, rëndësinë e origjinalitetit, kërkimit dhe pasionit në artin bashkëkohor.
Studentët ishin të shoqëruar nga prodekania për arsim, profesoresha e Historisë së Artit Jëlldëz
Asani, dhe profesoresha e vizatimit Drenusha Palloshi. Ata u pritën ngrohtësisht nga drejtoresha e
galerisë dhe kuratori i ekspozitës, të cilët e prezantuan konceptin dhe mënyrën e organizimit të kësaj
ekspozite.
Në hapësirat e galerisë ishin ekspozuar vepra nga cikle dhe teknika të ndryshme artistike, vizatime
me goditje të sakta e karakteristike, si dhe piktura në vaj mbi pëlhurë, të realizuara me një paletë të
gjerë ngjyrash, që dëshmojnë mjeshtërinë dhe vizionin e veçantë të autorit.
Në veçanti spikatnin dy piktura monumentale të portretit të Nënë Terezës, të cilat ruajnë
dorëshkrimin e njohur të artistit përmes formave konceptuale dhe frymës postmoderne që e
karakterizon krijimtarinë e tij.
Në tërësi, veprat e profesor Miftar Memetit reflektojnë freskinë e impresionizmit, lëvizjen e lirë të
ngjyrave dhe ndjesinë e hapësirës, duke i dhënë artit të tij një dimension komunikues ku edhe
publiku bëhet pjesë e procesit krijues.
Studentët shprehën mirënjohjen e tyre për mundësinë e këtij takimi me një artist të kalibrit
akademik e kombëtar, i cili përmes shembullit dhe përvojës së tij frymëzon brezat e rinj të ecin me
përkushtim në rrugën e artit.
Kjo vizitë u vlerësua si një përvojë e vlefshme praktike dhe frymëzuese, që forcon lidhjen midis
edukimit universitar dhe jetës artistike në vendin tonë.





